Ekonomia jonë e kërcënuar nga eksodi masiv i popullsisë
Raporti i rreziqeve globale për vitin 2016 rendit eksodin e fundit të popullsisë si një ndër risqet kryesore të ekonomisë shqiptare. 78.1% e bizneseve të pyetura i tremben largimit të punëtorëve, pjesa dërrmuese e të cilëve janë të trajnuar. Në vend të dytë renditet një krizë e mundshme fiskale, pasuar nga luhatjet në çmimin e energjisë.Emigrimi masiv i popullsisë është një ndër rreziqet kryesore për ekonominë shqiptare. Ky është një ndër përfundimet e raportit të rreziqeve globale për vitin 2016. Në këtë raport, në grafikun për Shqipërinë, eksodi i qytetarëve,kryesisht drejt Gjermanisë por edhe vendeve të tjera vlerësohet si problem shqetësues nga 78.1% e bizneseve, të cilët i tremben largimit të punonjësve, pjesa dërrmuese e të cilëve janë kualifikuar në vite.Raporti rendit në vend të dytë përsa i përket rreziqeve një krizë e mundshme fiskale, që vlerësohet si shqetësim nga 65.6% e bizneseve, që i tremben problemeve që mund të ketë buxheti dhe që rrjedhimisht do të çonte në një rirtje të mëtejshme të nivelit të barrës fiskale.Rreziku që renditet i treti nga bizneset shqiptare, me 64.1% është një shok në çmimet e energjisë. Lista e rreziqeve pasohet nga papunësia e lartë dhe dështimi i ndonjë mekanizmi apo institucioni financiar.Raporti i rreziqeve globale është hartuar duke pyetur mbi 13 mijë drejtues biznesesh nga 140 vende të botës gjatë periudhës nga shkurti deri në qershor të vitit 2015.Për vitin 2016, rreziku më i madh për të bërë biznes në shkallë botërore është cilësuar papunësia, pasuar nga një shok i mundshëm në çmimet e energjisë./Oranews.tv/