Veliaj ia beson përmbytjet Maznikut dhe Dalipit, udhëton drejt Sri Lankës
Gjendjen e alertit nga përmbytjet në kryeqytet kryebashkiaku Erion Veliaj ia ka besuar nënkryetarit të tij Mazniku dhe kreut të këshillit bashkiak Dalipi, pasi mbrëmjen e sotme ka udhëtuar me fluturimin e fundit për të përfaqësuar Tiranën në një nga forumet më të rëndësishme ekonomike.Veliaj është ftuar nga Qendra për Zhvillimin Ndërkombëtar (Center for International Development) e Universitetit të Harvardit, si një nga folësit kryesorë në Forumin Ekonomik që këtë vit mbahet në Sri Lanka.Në njoftimin për mediat, Bashkia e Tiranës thotë se “Veliaj është përzgjedhur si një administrator i suksesshëm në qeverinë qendrore si Minister i Punës, e menaxher i aftë në Bashkinë e Tiranës, duke e rikthyer sërish Tiranën në vëmendjen ndërkombëtare pas 4 vitesh harresë”.Kryetari i Bashkisë së Tiranës është ftuar në një panel me Nobelistin e Ekonomisë Joseph Stiglitz, Columbia School of Business, George Soros - president i Fondacionit për Shoqëri të Hapur, Alan Hirsch, Presidenca e G20 & Ricardo Hausman, drejtor i CID i Harvard Kennedy School.Bashkia shton gjithashtu se “udhëtimi i Kryetarit të Bashkisë zgjat 2 ditë vajtje-ardhje dhe shpenzimet mbulohen nga organizatorët”.