Videoja humoristike, kërcënohen me jetë "Stupcat"
Një skeç humori i realizuar nga grupi i njohur si Stupcat dhe i transmetuar në Kosovë gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve, ka shkaktuar një debat mjaft të gjerë në vend.Në video shfaqen dy aktorët kryesorë Vedat Bajrami dhe Osman Ademi, të cilët luajnë rolin e dy funksionarëve të lartë të UÇK-së. Skeci i portretizon dy drejtuesit si shfrytëzues të ushtarëve të thjeshtë dhe si njerëz që kërkonin të përfitonin pas luftës poste të rëndësishme, ndoshta të pamerituara.Në video, dy drejtuesit tentojnë që të përfshijnë në planin e tyre edhe një person të tretë, i cili është një ushtar i devotshëm.Ai refuzon që të bëhet palë me dy funksionarët e lartë të UÇK-së, duke u shprehur se pas lufte kërkonte gjënë më të shtrenjtë, e cila ishte liria. Duke parë mos bindjen e ushtarit të tretë, drejtuesit e lartë e paraqesin këtë të fundit si tradhtar në sytë e pjestarëve të tjerë të ushtrisë.Aktorët kanë marrë komente nga më të ndryshmet për skecin e luajtur, ku më flagrantet ishin kërcënimet me jetë.Reagime të ashpra ka patur nga përfaqësues të organizatave të UCK-së, deputetë, e familjarë të ish-komandantëve, të cilët e kanë quajtur videon një mungesë respekti ndaj kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Megjithatë, ka patur edhe mjaft komente në mbrojtje të aktorëve, ku shkruhet se skeci është thjesht pasqyrimi dhe demaskimi i një realitetit të hidhur./Oranews.tv/