Komisioni i Helsinkit: Nismat ligjore për dekriminalizimin, jo monopol partish

Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon transparencë lidhur me konsensusin e arritur nga klasa politike për dekriminalizimin.Duke theksuar se nismat ligjore për dekriminalizimin nuk janë monopol i partive politike, Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkon të informohet mbi projektligjin përfundimtar që do të shkojë në Kuvend, po ashtu edhe të shprehet rreth tij.“KSHH dëshiron të theksojë se, dekriminalizimi i pushteteve dhe administratës publike, si një çështje madhore, që garanton forcimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin e vendit dhe respektimin më të mirë të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, nuk është, e nuk mund të jetë çështje vetëm e klasës politike. Publiku i gjerë duhej të ishte përfshirë në të, që në fillim, sepse shtetasit dhe organizatat e shoqërisë civile kanë qenë gjithmonë të interesuar rreth saj dhe njëkohësisht kishin të drejtën morale dhe ligjore të kontribuonin në këtë nismë. Sot, shpresojmë, të informohemi në detaje rreth projektligjit, në formën e tij përfundimtare, si dhe të kemi mundësi të shprehemi rreth tij publikisht”.Duke përshëndetur marrëveshjen e një dite më parë në Komisionin e posaçëm për dekriminalizimin, KSHH shpreson se ky ligj jo vetëm do të miratohet, por dhe do të zbatohet me korrektësi, me qëllim që të largohen sa më parë personat e inkriminuar nga organet publike të të gjitha niveleve.“Pavarësisht marrëveshjes, nuk mund të harrojmë se klasa politike është faktori që e krijoi këtë situatë dhe se shtetasit janë ata që kanë vuajtur rëndë pasojën e krijuar nga penetrimi i personave të inkriminuar në pushtetet shtetërore dhe administratën publike. Korrektësia, serioziteti dhe ndershmëria e trajtimit të kësaj çështjeje, deri në fund, do të kthejë besimin e lëkundur të popullit tek organet e pushtetit shtetëror dhe partitë politike, që janë votuar për ti krijuar ato” përfundon KSHH në deklaratën e tij për media.