Bonot e thesarit, interesi zbret në minimumin historik të 2.54%
Interesat e bonove të thesarit kanë zbritur në minimum historik, duke shuar kështu edhe një ndër alternativat e pakta që kishin qytetarët për të investuar. Sipas Bankës së Shqipërisë, në ankandin e fundit, interesi i bonove 1 vjecare zbriti në 2.54% nga 2.83% që ishte muajin e kaluar. Pas depozitave, edhe interesat e bonove të thesarit po zbresin në nivelin e inflacionit, duke mos siguruar më fitime për qytetarët që investojnë në to.Ulja e vazhdueshme e kostos së lekut nga Banka e Shqipërisë dhe sigurimi i Eurobondit me vlerë 450 milionë euro në tregjet ndërkombëtare ka rrëzuar në minimumin historik interesat e bonove të thesarit, të konsideruara si një ndër alternativat e pakta të investimit në vend.Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në ankandin e fundit, të zhvilluar dy ditë më parë, interesi mesatar i bonove njëvjeçare arriti në 2.54%, nga 2.83% që kishte qenë në fund të muajit të kaluar.Ky është edhe niveli më i ulët në historinë e tregtimit të bonove të thesarit, si letra me vlerë. Pas rënies së interesave të depozitave, shuhet edhe një tjetër mundësi ku qytetarët mund të investonin paratë e tyre. Pasi interesat e bonove të thesarit po shkojnë gradualisht drejt nivelit të inflacionit, tregues që në nëntor arriti në 2.1%. E thënë ndryshe, atë që qytetarët fitojnë nga investimi në bono e humbasin nga zhvlerësimi I lekut, duke e bërë të paleverdishme invetsimin në letrat me vlerë të qeverisë.