Presidenti Obama viziton sot Bostonin
Presidenti Barak Obama dhe Zonja e Parë Michelle Obama do të shkojnë sot në Boston për t’iu gjendur pranë familjeve dhe viktimave të shpërthimeve të Maratonës së Bostonit.Presidenti dhe Zonja e Parë do të marrin pjesë në një shërbesë fetare në Katedralen e Bostonit, në nderim të viktimave të vrarë dhe të plagosurit në shpërthimet e së hënës.Shtëpia e Bardhë thotë se Obama do të takohet me zyrtarë lokalë dhe shtetërorë dhe mundet të takohet edhe me përfaqësues të ekipeve të ndihmës së shpejtë. Nuk dihet nëse ai do të takohet me ndonjë nga të plagosurit.Para zhvillimit të një ceremonie dje në Shtëpinë e Bardhë në nderim të ushtarëve të plagosur, Presidenti tha se mendjet dhe zemrat e kombit janë me popullin e Bostonit.“Zemrat tona janë me familjet e viktimave dhe përcjellim mbështetjen dhe inkurajimin tonë për ata njerëz që nuk menduan se do t’u nevojitej, për ata civilë të plagosur që po fillojnë rrugën e gjatë të ripërtëritjes” tha ai. Presidenti Obama tha se ushtarët e plagosur mund të shërbejnë si frymëzim për civilët që u plagosën nga shpërthimet e Bostonit.Zonja e Parë Michelle Obama shprehu mirënjohjen e saj për guximin që tregoi populli i Bostonit në këtë incident.“Në kohë krize, këtu në Amerikë ne reagojmë me kurajo dhe vetëmohim. Pikërisht këtë reagim pamë nga populli i Bostonit” tha Zonja e Parë. Mbrëmë, FBI-ja anuloi një konferencë për shtyp në Boston, ku pritej të jepeshin detaje për procesin hetimor. Ende nuk janë bërë arrestime lidhur me sulmin.