SHBA, kontrolli i armëve refuzohet në Senat

Senati amerikan hodhi poshtë propozimin dypartiak për të zgjeruar kontrollet e biografisë për personat që duan të blejnë armë zjarri, megjithëse anketat tregojnë se pjesa më e madhe e amerikanëve e mbështesin këtë masë.Pesëdhjetë e katër senatorë votuan pro propozimit, por në bazë të rregullave të Senatit, masa nuk mund të miratohet pa marrë 60 vota pro.Projekt-ligji do të kishte zgjeruar kontrollin e biografisë për personat që duan të blejnë armë, duke përfshirë blerjet në panaire armësh dhe përmes internetit, por do të përjashtonte personat që blejnë armë nga të afërmit.Presidenti Barack Obama e cilësoi votën si një ditë turpi në Uashington. Ai tha se lobi i armëve të zjarrit dhe aletatët e tij kanë gënjyer me ndërgjegje të plotë për projekt-ligjin dhe senatorët që e kundërshtuan projekt-ligjin ishin influencuar nga frika dhe nxitur nga karriera politike.Zoti Obama ka kërkuar forcimin e ligjeve për kontrollin e armëve, që pas masakrës së 14 dhjetorit në një shkollë fillore në Konektikat, ku gjetën vdekjen 26 civilë, 20 prej të cilëve fëmijë.