Plani i Rusisë për paqe në Siri, prania e Asad jo e domosdoshme

Plani i qeverisë ruse për një marrëveshje paqeje në Siri është lançuar zyrtarisht nga përfaqësuesit e Kremlinit. Dokumenti që po qarkullon në zyrat e Kombeve të Bashkuara propozon një reformë kushtetuese që pritet të implementohet brenda 18 muajve. Në këtë draft nuk thuhet nëse gjatë kësaj kohe, Presidenti Bashar al-Asad do të vijojë të qëndrojë në pushtet, por nënvizohet se mbarëvajtje e procesit do të mbikqyret nga një kandidat i aprovuar nga të gjitha palët.Ndryshe nga ajo çka u komunikua paraprakisht, ky plan nuk e përjashton mundësinë e kandidimit të Asad në zgjedhje. Në pikat e propozuara thuhet gjithashtu se në diskutime duhet të marrin pjesë grupe të caktuara të opozitës dhe se duhet bërë dallimi midis rivalëve politikë të Asadit dhe terroristëve.Në rast se propozimet do të miratohen, roli i Presidentit në qeverinë e re do të ketë një sërë kompetencash ku përfshihet të qënit komandant i ushtrisë, kontrrolli mbi shërbimet sekrete, dhe aktiviteti i lartë në politikat e jashtëme.Drafti kërkon gjithashtu që i dërguar special i OKB-së, Staffan de Mistura, të lancojë një proces politik midis qeverisë siriane dhe një delegacioni të bashkuar të forcave opozitare, bazuar në marrëveshjen e arritur në Qershor të vitit 2012 nga fuqitë e mëdha.Plani do t'u paraqitet përfaqësuesve ndërkombëtarë në takimin e radhës për diskutimin e situatës në Siri, që pritet të mbahet në Vienë më datë 13 nëntor.