Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer vizitë dy ditore në Kosovë
Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer, do të jetë sot në Kosovë për një vizitë dy-ditore zyrtare, pas ftesës së bërë nga homologia e tij, Atifete Jahjaga. Pritja do të realizohet përmes një ceremonie shtetërore me gardën e nderit të FSK-së, në sheshin "Ibrahim Rugova". Në axhendë, kjo ceremoni është parashikuar të mbahet rreth orës 11. Më tej, Jahjaga dhe Fischer do të dalin në një Konferencë të Përbashkët, teksa Presidenti i Austrisë do të takojë gjatë pasdites edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.Gjatë ditës së dytë të qëndrimit të tij, Fischer do të zhvillojë bisedime me Kryeministrin Isa Mustafa. Axhenda parashikon edhe pjesëmarrjen e tyre në Forumin ekonomik kosovar-austriak.Në mbyllje, Presidenti austriak dhe Jahjaga do të vizitojnë Prizrenin, e më konkretisht Kishën Katolike dhe Xhaminë e Sinan Pashës, që ndodhen në këtë qytet.