Gjendje e lartë gatishmërie në Korenë e Jugut

Forcat amerikane dhe ato të Koresë së Jugut janë në gjendje të lartë gatishmërie, një shkallë më poshtë gjendjes së luftës. Ngritja e gjendjes së gatishmërisë bëhet ndërkohë që ka sinjale se Koreja e Veriut po përgatitet për prova të reja me raketa.Ministri i Jashtëm Yun Byung-se, në komentet para një komisioni të parlamentit në Seul, u shpreh se Koreja e Veriut është gati të hedhë një raketë balistike me rreze të mesme veprimi të tipit Musudan:Ministri tha se të dhënat e shërbimeve të zbulimit nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara konfirmojnë se mundësia e hedhjes së një rakete nga Koreja e Veriut është shumë e lartë. Sipas tij, raketa Musudan ka një rreze veprimi prej 3500 kilometrash.Agjencia jugkoreane e lajmeve Yonhap thotë se janë vërejtur edhe pajisje të tjera që mendohet se shërbejnë për hedhjen e raketave të tipeve të tjera në provincën Hamgyong i Jugut në bregun lindor.Admirali amerikan Samuel Locklear foli më parë para Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura në Uashington ku dëshmoi se të paktën një raketë me rreze të mesme veprimi ishte dërguar në bregun lindor të Koresë së Veriut. Sipas admiralit, Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë ta interceptojnë raketën që mund të hedhë Koreja e Veriut dhe që mund të kërcënojë bazat amerikane apo aleatët e Amerikës në Paqësor.Shtetet e Bashkuara kanë një plan me Korenë e Jugut për t’iu përgjigjur provokacioneve. Admirali Locklear nuk pranoi të jepte hollësi të planit gjatë dëshmisë së hapur:“Unë e mbështes planin dhe mendoj se është plan i mirë. Do të vazhdojmë të bëjmë ndryshimet e duhura në rrjedhën e kohës”. Megjithë shkallëzimin e tensioneve në gadishull, në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, ku jetojnë mbi 20 milionë vetë, ose afro gjysma e popullsisë koreano-jugore, jeta vazhdon me ritme normale dhe pa nota paniku.