Hayek dhe Paltrow kërkojnë barazi gjinore për pagat në Hollywood
Çështja e pagesës së aktoreve në Hollywood ishte kryefjala e një eventi të organizuar në Los Anxheles, me theks tek barazia gjinore. Pas deklaratave të Meryl Streep, rreth një javë më parë, për këtë çështje dhe protestës së një grupi grash në premierën e filmit "Suffragette", kundër dhunës në familje, kjo temë mblodhi një grup aktoresh të njohura që janë shprehur për barazi gjinore.Eventi “Fuqia e grave”, i organizuar nga revista “Variety” vlerësoi gra të fuqishme në botën e televizionit, por jo vetëm. Kështu, u nderuan me çmime nga revista: Oprah Winfrey, Anna Kendrick, YouTube CEO Susan Wojcicki etj. Ndërsa çështja e barazisë gjinore në Hollywood u kthye në kryefjalën e ditës gjatë parakalimit të aktoreve në tapetin e kuq.E pranishme në këtë event, aktorja Salma Hayek u shpreh për “Reuters”:“Unë e ndjej se gratë janë më të bashkuara sot, dhe kjo është bërë më e dukshme se kurrë ndonjëherë. Njërëzit kanë filluar të na mbështesin sepse ne tashmë jemi një fuqi ekonomike më vete në industrinë e filmit”.Pagesa e barabartë në Hollywood është një çështje e diskutuar edhe një vit më parë, nga një sërë aktoresh, të cilat kërkuan barazi. Hayek tha se ky është një problem që shkon përtej Hollywood-it.“Paga është problem në çdo industri. Nëse ti ke të njëjtat aftësi, dhe je duke bërë të njëjtën punë, është kriminale që të mos marrësh të njëjtën pagë”.Aktorja Gwyneth Paltrow, e cila u rendit këtë vit në vendin e 12 në listën e “Forbes” si një ndër aktoret më të paguara në Hollywood, tha se gratë që e kanë ngritur shqetësimin e pagesës shpesh janë kritikuar.“Nëse flet për këtë çështje konsiderohesh mosmirënjohëse dhe fakti që sot ne po e diskutojmë këtë problem mua më duket një gjë shumë e mirë, sepse mosbarazia nuk është e drejtë”.Kur aktorja u pyet nëse mund ta parashikonte se kur mund të arrihej barazia e pagave, Paltrow tha: “Kur shoh vajzën time dhe kolegët e saj, shoh më mijëra gra të tjera, dhe besoj se ndryshimi do të vijë shumë shpejt”./oranews.tv/