Korsi biçikletash me të ardhurat e parkingut te sheshi "Italia"
Qytetarët e Tiranës shumë shpejt do të kenë një parking të ri në Kryeqytet .Kryetari bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj inspektoi punimet në sheshin "Italia" dhe premtoi se të ardhurat që do mblidhen nga ky parking do të investohen për qytetin.“Një ambient, i cili për katër vite ishte një hapësirë e rrënuar, brenda pak ditësh do të shndërrohet në parking publik me pagesë nën administrimin e bashkisë. Them me pagesë sepse bashkia ka nevojë për fonde, por lajmi i mirë është se çdo e ardhur nga parkingu publik i bashkisë do të investohet në korsi biçikletash dhe gjelbërim për qytetin”, tha kryebashkiaku Veliaj gjatë inspektimit të punimeve.Kryebashkiaku Veliaj ka bërë të ditur se në 18 tetor bashkia dhe organizatat që mbështesin nismat ambientaliste, do të organizojnë një tjetër ditë pa makina.“Sigurisht, ne do të vijojmë me ditët pa makina. Dita tjetër pa makina do të jetë në 18 tetor, çka i paraprin lumturimit të Nënë Terezës, një ditë ku duam të bëjmë aktivitete kushtuar filantropisë dhe solidaritetit të qytetit tonë. Besoj se kemi nevojë për më shumë ditë pa makina dhe për hapësira ku njerëzit i lënë makinat dhe me paratë e parkingjeve sponsorizojmë punët publike të qytetit”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.