Pranga vëllait të kryebashkiakut Poliçan, në biznesin e tij u gjetën 19 kg drogë

Operacioni policor i koduar "Provonik" ka çuar në arrestimin e 4 personave mes tyre dhe Artur Zotkaj  vëllai i kryebashkiakut të majtë të Poliçanit Adriatik Zotkaj, konfirmon zëdhënësja e policisë së Beratit.

Arrestimimi është kryer sot, 18.09.2015, nga ana e Sektorit Kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, pas një hetimi disa mujor me metoda proaktive. Ndërkohë 1 person është shpallur në kërkim.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë 4 shtetas: Artur Zotkaj, 46 vjeç, banues në Poliçan, Kreshnik Hysenebelli, 24 vjeç, banues në Poliçan, Abedin Nurellari, 38 vjeç, banues në Poliçan, Destared Allko, 23 vjeç, banues në Skrapar dhe është shpallur në kërkim shtetasi me iniciale E.H, 22 vjeç, banues në Poliçan.

 "Në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se shtetasit e lartpërmendur kanë konsumuar elementet e veprës penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" thuhet në njoftimin e policisë së qarkut Berat Droga ne biznesin e Zotkajt Policia informon se gjatë kontrollit të ushtruar në biznesin e shtetasit Artur Zotkaj, iu gjetën dhe sekuestruan një sasi prej 19,030 kg lëndë narkotike e dyshuar si ajo e llojit marjuanë.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve, iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.