Diktatori nuk duhet lënë të prehet rehat!

Secilin prej nesh e ngacmon herë pas here pyetja se si do ta mbijetojë uni ynë vdekjen e tij fizike. Ka njerëz që i varin shpresat e mbijetesës së tyre te veprat që lënë pas. Të tjerë gjejnë ngushëllim te trashëgimia biologjike. Ngushëllim i vogël ky, por gjithsesi mbetet ngushëllim dhe këtu mbyllet gjithçka. Por jo për psikologun James H. Bedford, të cilin nuk e pat ngushëlluar as trashëgimia biologjike e as disa dhjetëra punime shkencore. Para se të vdiste në janar të vitit 1967, Bedford ishte i pari njeri, i cili la amanet që, në vend të varrit, trupin e tij ta futnin në frizerin e një instituti universitar kërkimesh. Që atëherë, psikologu Bedford pret me një durim të akullt prej minus 96 gradësh të ardhmen. Një të ardhme, në të cilën mjekësia ka për të qenë e aftë jo vetëm të shërojë të gjitha sëmundjet, por edhe ta sjellë sërish në jetë psikologun, vdekur nga një sëmundje e pashërueshme. Ankthi që ka Bedford-i prej vdekjes dhe harresës është ankthi i gjithsecilit prej nesh. Shpresa e tij se njerëzimi ka për ta zhdukur dikur vdekjen, duke mësuar të krijojë prej saj sërish jetën, është, edhe ajo, shpresa jonë.Sidoqoftë Bedford-i nuk arrin të përfytyrojë një tjetër ankth, edhe më të tmerrshëm. Ankthin që përftohet nga pamundësia për t’i ikë kësaj bote, duke bërë që ne, të burgosur përtej vdekjes, të mbetemi të ngujuar në këtë botë, bashkë me mishin dhe lakuriqësinë tonë, e cila, bashkë me trupin ku shuhet shpirti ynë, na bën të plotë.Edhe diktatorët e kanë frikë vdekjen. Dhe mundohen ta shtyjnë me ç’munden. Sa janë gjallë nuk kursejnë asgjë për t’ia zgjatur unit jetën e tij edhe pas vdekjes fizike. Edhe ato, njësoj si Bedford, nuk ia kanë idenë atij ankthit nga të mbeturit përjetësisht në jetë. Unë e provova pardje duke vizituar instalacionin e artistit Ardian Isufi në Muzeun Historik Kombëtar. U rrënqetha para maskës së bardhë të fytyrës së diktatorit Enver Hoxha, të cilën artisti Isufi ia kish vënë përballë publikut shqiptar. Brenda labirintit të atij instalacioni provova brenda atij minuti ndjesinë, të cilën Enver Hoxha, sa ishte gjallë, me siguri nuk ka arritur ta përfytyrojë dot: makthin e pamundësisë për të shijuar qetësinë e amëshuar përtej botës fizike. Me siguri sa ishte gjallë, Enver Hoxha e ka imagjinuar vazhdimësinë e jetës së tij në formë bustesh, përmendoresh, piramidash, librash, këngësh e vallesh. Një vazhdimësi e lavdishme me siguri, ndoshta edhe në formën e pankartave nëpër festa fshatrash apo mitingje qytetesh. Por me siguri nuk ka menduar kurrë se ëndrra e tij për pavdekësi do përmbushej përmes një maske allçie të fytyrës së tij, ngjizur pak orë pas vdekjes, e cila 30 vjet më pas, do të ekspozohej publikisht. Para një publiku që, edhe pse alergjik ndaj radhave (për arsye historike), pret me durim disa orë në radhë, thjesht për qëndruar një minut para maskës së mortit. Një publiku që ka mundësinë, më në fund ta shohë fytyrën e pajetë të diktatorit pa ulur sytë, të bëjë sehir para vdekjes së tij, ta pështyjë apo ta sodisë atë me nge. Dhe, mbi të gjitha, pa pikë respekti!Instalacioni i artistit Isufi është mishërim i imperativit se diktatori nuk duhet lënë rehat as pas vdekjes. Nuk duhet lënë të prehet rehat! Atij i duhet prishur qetësia orë e çast. Fytyra e pajetë e diktatorit na përcjell ankthin nga të mbeturit i ngujuar në këtë botë. Ajo është dëshmi e faktit se diktatorin as vdekja nuk mund ta mbrojë në mënyrë të sigurt nga të gjallët./Publikuar sot ne gazeten MAPO