Itali, “Të urtët” nisin misionin për zgjidhjen e ngërçit
Të ashtuquajtur "10 të urtët" do të nisin sot misionin e tyre që kanë marrë nga presidenti Giorgo Napolitano për të zhbllokuar ngërçin politik pas zgjedhjeve të përgjithshme 24-25 shkurt. Ata janë emëruar nga presidenti në 30 mars, pasi lideri i Partisë Demokratike Pier Luigi Bersani nuk arriti të formonte një qeveri të koalicionit.Një zëdhënës i Napolitanos tha se zgjedhja e çdo eksperti është bërë mbi bazën e kritereve që ata kanë në punën e tyre të mëparshme, apo dhe rolin që ata kanë.Paneli është i përbërë nga pesë anëtarë të partive politike,ndërsa pesë të tjerë janë figura të larta institucionale.Emërimi i dhjetë emrave të shquar të botës ekonomike dhe politike te vendit është ndërmarrë me qëllim propozimin e reformave urgjente që Italia duhet të realizojë dhe përbën një të re institucionale absolute.Por ajo është pritur me skepticizëm nga aktorët politik te vendit. Sipas qendrës së majtë këta individë mund të ndihmojnë por nuk mund të zëvendësojnë Parlamentin.Qëndra e djathtë i jep atyre dhjetë ditë kohë për të treguar se janë të dobishëm për italianët, ndërsa më kritiku është nismëtari i Lëvizjes 5 Yjet Beppe Grillo, sipas të cilit Italia nuk ka nevojë për kujdestar të demokracisë por ka nevojë për një funksionim më të mirë të Parlamentit.