Çerdhet në Tiranë, Veliaj: Gati në shtator, sukses i nismës “Adopto një çerdhe”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi paraditen e sotme rikonstruksionin e çerdhes nr. 30 në Laprakë, ku deklaroi se në të 31 çerdhet e kryeqytetit grupe vullnetarësh po japin kontributin e tyre për t’i sjellë ato në funksionalitet të plotë.Në një prononcim për mediat, Veliaj theksoi se çerdhet do të jenë gati në kohë, pavarësisht se disa prej tyre ishin krejtësisht të amortizuara dhe është dashur të ngrihen nga e para.“Në 31 çerdhet e Tiranës ka nga një grup vullnetarësh, të cilët po mundohen të sjellin në terezi institucionet ku u shërbehet qytetarëve tanë më të vegjël, bebeve të Tiranës. 29 çerdhe janë adoptuar nga biznese dhe individë, ndërsa dy të tjerat po bëhen gati nga stafi i bashkisë”, deklaroi Veliaj. Sipas tij, nëse do të llogaritet puna e bërë në këto çerdhe dhe vlera materiale që është investuar, vlera monetare do të ishte në vlerën e 2 milionë dollarë.Për shkak të borxhit të trashëguar nga administrata e kaluar prej 31 milionë dollarë, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se do të kishte qenë e pamundur që 31 çerdhet të përgatiteshin në kohë.“Më vjen mirë që kërkesës sonë publike dhe nevojës për solidaritet i’u përgjigjën 29 biznese të Tiranës, të cilat bashkë me dy grupe vullnetare, arritën në kohë rekord t’i transformojnë këto hapësira, ku u shërbehet qytetarëve më të vegjël të qytetit tonë”, tha ai, duke vlerësuar solidaritetin e treguar nga ata që kontribuan.Ai falenderoi gjithashtu, vullnetarët e administratës së Bashkisë së Tiranës që iu bashkuan sot brigadave që kanë adoptuar çerdhet për t'i ndihmuar dhe për të dhënë kontributin e tyre.Duke u fokusuar te aksioni për lirimin e hapësirave në njësinë nr. 5, Veliaj kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve.