Dobësimi i ekonomisë kineze, një tjetër ditë të zezë për tregjet ndërkombëtare
Tregjet ndërkombëtare financiare po përjetojnë një tjetër ditë të zezë, për shkak të dobësimit të ekonomisë kineze dhe frikës së investitorëve për të injektuar më shumë para në ekonomi. Bursat në Europë, Azi e Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përjetojnë një ngërç, që ka tronditur mbarë globin, sikurse lëkundi edhe çmimet e naftës.Bursat në Londër, sikurse në çdo vend tjetër të Europës, e nisën tregtinë edhe të martën në rënie të konsiderueshme ndërsa indeski pan-europian FTSE 100 ra me 2% ndërsa indesket kryesore si DAX-i gjerman dhe CAC 40 i Parisit humbën më shumë se 3%. Tregjet në Kinë vijojnë për të dytën ditë me rradhë të humbasin ndjeshëm, kështu indeksi i Shangait ra me 7.6%, duke shkaktuar tronditje edhe në bursat e tjera aziatike me indeksin Nikkei në Tokio që ra 4%.Edhe bursat kryesore ne Uoll Strit, shënuan rënie të konsiderueshme, me afro 5%. Ndër të vetmet që shënuan rritje, ishte bursa e Moskës, që kapërceu me 2%. Banka Qendrore e Kinës është përpjekur të ndërhyjë për stabilizimin e gjendjes përmes injektimit të fondeve të reja prej 150 miliardë juanësh apo 22,43 miliardë dollarë.Megjithatë, efektet e "tërmetit" të tregjeve të nisur prej saj vazhdojnë. Për shkak të frikës në tregjet financiare, edhe çmimi i arit të zi, pësoi rënie dramatike, duke u shitur me 42 dollarë për fuçi, në nivelin më të ulët në 6 vitet e fundit dhe në rënie të ndjeshme nga një vit më parë, kur nafta shitej me 103 dollarë për fuçi.