Pranga dy policëve të dehur, qëlluan në ajër duke terrorizuar banorët në Divjakë
Mbanin gradën e inspektorit dhe detyrën e patrullimit të përgjithshëm në Komisariatin e Fierit, por dy efektivët e policisë janë kapur në gjendje të dehur dhe duke terrorizuar banorët e zonës së Divjakës pasi kishin shtënë disa herë me armë në ajër.Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në MPB arrestoi në flagrancë dy punonjës të policisë në Komisariatin e Fierit Edmond Sulaj, 43 vjeç dhe Amarildo Bala, 26 vjeç pasi kishin konsumuar një sasi të madhe alkooli në një prej lokaleve në zonën turistike të Divjakës, duke qëlluar më pas në ajër me armë disa herë në ambiente publike.Sipas të dhënave të policisë më pas, dy efektivët e patrullimi janë larguar me mjetin tip BMVV X5 me targa AA 220 DE, në drejtim të qytetit të Fierit. Por pas njoftimit të marrë, shërbimet e policisë, kanë ngritur postblloqet dhe kanë ndaluar mjetin në vendin e quajtur "Rreth rrotullimi i Plugut".Dy punonjësit e policisë fillimisht nuk i janë bindur urdhrit të shërbimeve të rendit për t'u shoqëruar, deri në ndërhyrjen e Shefit të Komisariatit të Policisë Lushnje.Gjatë shoqërimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Lushnje, dy të arrestuarit kanë përdorur një fjalor fyes dhe jashtë etikës ndaj punonjësve të policisë që kryen shoqërimin.Përveç sa më sipër, Edmond Sulaj refuzoi të dorëzojë armën, e cila i është marrë forcërisht nga shërbimet e rendit.Gjithashtu, punonjësit e policisë Edmond Sulaj dhe Amarildo Bala refuzuan t'i nënshtroheshin testit të alkoolit, edhe pse u paralajmëruan se ky veprim përbën vepër penale, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 236 të K.Penal.Materialet procedurale të përpiluara u dërguan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje ndërsa hetimet janë në vazhdim.