Greqia shlyen BQE-në pasi Eurozona miratoi këstin e parë prej 86 mld eurosh
Greqia ka paguar borxhin prej 3.4 miliardë eurosh që i detyrohej Bankës Qëndrore Evropiane. Pagesa bëhet një ditë pasi ministrat e financave të eurozonës miratuan këstin e parë të programit të daljes nga kriza të Athinës. Në këtë mënyrë Greqia ka shmangur falimentimin për shkak të detyrimeve dhe ka shmangur po ashtu një vështirësi ekonomike që kërcënonte stabilitetin e valutës euro.Programi për shpëtimin e Greqisë është në vlerë prej 86 miliardë eurosh. Kësti i parë, në vlerë prej 23 miliardë eurosh i është dhënë Athinës, pasi eurozona ka marrë mbështetje nga parlamentet e vendeve anëtare.Komisioneri i BE-së, Valdis Dombrovskis deklaroi se miratimi i këtij kësti të parë, është i rëndësishëm për Greqinë."Autoritetet greke kanë mundësi për të rivendosur stabilitetin financiar. Zbatimi i reformave është ajo që ka rëndësi në fund", ka shkruar ai në Twitter.Marrëveshja e shpëtimit të Greqisë e Bashkimit Evropian, shkon përtej menaxhimit ekonomik dhe përfshinë rishikim të gjerë të sistemit shëndetësor dhe të mirëqenies sociale të Greqisë. Po ashtu përfshinë reforma në praktikat në biznes si dhe në administratën publike.