Stevie Wonder: Dëgjoj muzikën e çdo kujt
Legjenda e muzikës, këngëtari Stevie Wonder ka nisur nga "Central Park" në Nju York, një tur koncertesh. Wonder lajmëroi se do të performojë në më shumë se 20 koncerte për turin e titulluar "Songs in the key of life performance" duke vijuar pas Nju Yorkut me Washington D.C, Filadelfia etj. Në parkun qëndror të Nju Yorkut Wonder performoi hitet e albumit aq shumë të kritikuar nga viti 1976 si "AS", "Sir Duke" dhe "I Wish". Wonder, sot në moshën 65 vjecare, mban rekordin ndër këngëtarët e rinj por edhe të epokës së tij, 25 cmime Grammy Award, më shumë se çdo artist tjetër. Kur u pyet se çfarë lloj muzike dëgjon ai për tu frymëzuar, Wonder u përgjigj: "Muzikën e çdokujt". "Jam gjithnjë i gatshëm të dëgjoj sugjerime"- tha këngëtari në një intervistë për Reuters. "Vajza ime Aisha është një adhuruese e muzikës së bukur, njësoj si i ati. Ndaj ajo më fut në një botë të shumëllojshme muzikore dhe ne bashkë dëgjojmë çfarëdolloj muzike, në internet, në radio, kudo të jetë. Mundohem të dëgjoj aq sa mundem. Jam i inkurajuar nga e reja, frymëzohem" -shtoi ai. Ai gjithashtu shprehu shqetësim për dhunën dhe përdorimin e armëve në Shtetet e Bashkuara ndërsa foli edhe për politikë dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. I pyetur për kandidatët që deri më tani kanë shpallur zyrtarisht kandidaturën e tyre për në krye të Shtëpisë së Bardhë, ai nuk ngurroi të shfaqë hapur pëlqimin dhe mbështetjen për demokraten Hillary Clinton. "Sepse ne kemi patur një bashkëbisedim bashkë dhe sepse unë besoj se gjithcka që lëviz mund të bëjë ndryshimin në botë, padiksutim për mirë. Nuk besoj tek njerëzit që ofendojnë njerzit apo tek njerzit që i bëjnë të tjerët të ndihen inferior. Ato ditë kanë ikur, ditët e perëndimit të egër kanë ikur. Ato kohë kanë marrë fund, janë harruar" tha Wonder ndërsa shtoi:"Në këtë pikë që jam, unë besoj tek ndershmëria. Ndaj në krahasim me meshkujt, mendoj se një grua është më e aftë në këtë pikë".Këngëtari me të drejtë i quajtur legjenda e muzikës botërore, ka shitur më shumë se 100 milionë albume në të gjithë botën. Ai është fitues i një cmimi Oskar, një Golden Globe dhe në rini ka fituar gjithashtu cmimin e nderit nga qendra "Kenedi". Nga ish president amerikanë ai është vlerësuar me "Medalje presidenciale për lirinë" dhe është shpallur "Përçuesi i paqes" nga Kombet e Bashkuara.