Intensifikohet uragani Sandy, më e rënda në brigjet lindore
Uragani Sandy është duke iu afruar Bregut Lindor të SHBA-ve, me erëra të shpejta rreth 140 km në orë, që kërcënojnë përmbytje masive dhe kanë shkaktuar evakuimin e qindra mijëra njerëzve. Meteorologët thonë se kushtet atmosferike përgjatë bregdetit lindor të Shteteve të Bashkuara do të përkeqësohen sonte, ndërsa stuhia më e madhe ndonjëherë që godet tokën sjell rreshje të shumta dhe errëra të fuqishme në një zonë të madhe të rajonit më të populluar të Shteteve të Bashkuara.Uragani Sandy vazhdon të zhvendoset drejt bregdetit verilindor dhe pritet të bashkohet me dy studi dimrore, duke krijuar një "superstuhi" hibride, që mund të prekë deri në 60 milion banorë. Sandy pritet të godasë tokën sonte vonë.Rutinat e përditshme normale përgjatë bregdetit verilindor të Shteteve të Bashkuara janë bllokuar plotësisht, ndërsa rajoni përgatitet për mbërritjen e uraganit Sandy.Shkollat dhe shërbimet me autobuz dhe metro janë mbyllur në qytete të mëdha si Bostoni, Uashingtoni, Filadelfia dhe qyteti i Nju Jorkut. Meteorologët thonë se uragani Sandy mund të shkaktojë ngritje të nivelit të ujit në Nju Jork prej më shumë se 3 metrash, duke ngjallur frikën e përmbytjeve masive.Në Nju Jork këto shërbime u mbyllën mbrëmë për shkak të rrezikut të përmbytjeve, duke bllokuar më shumë se 5 milion njerëz që varen tek ky system publik dhe duke shkaktuar shumë pakënaqësi.“Është qesharake, thotë banorja e Nju Jorkut, Tiffany Sobers, qytetartë përpiqen të shkojnë në punë dhe asnjë system publik nuk funksionon. Jam bllokuar tashmë dhe nuk di se ç’do të bëj,” tha ajo.Autoritetet në Nju Jork dhanë urdhër evakuimi për më shumë se 375 mijë banorë në zonat e ulta bregdetare, përfshirë edhe Manhatanin e poshtëm. Kryetari i Bashkisë Michael Bloomberg u bëri thirrje banorëve që t’i marrin seriozisht paralajmërimet.“Dua të theksoj se nëse nuk evakuoni banesën, jo vetëm që rrezikoni veten, por rrezikoni edhe anëtarët e forcave të përgjigjes së shpejtë, të cilët mund të vijnë t’u shpëtojnë. Shpresojmë që të mos lejoni ta lini veten në situata të tilla të rrezikshme”.Uragani Sandy parashikohet të godasë bregdetin sonte vonë ose nesër në mëngjes përgjatë bregdetit të shtetit Nju Zhërzi. Meteorologët parashikojnë gjithashtu se Sandy do të shoqërohet me shira të rrëmbyer në disa zona të rajonit.Mijëra fluturime në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara janë anuluar, ndërkohë që kompania Amtrak e transportit hekurudhor ka anuluar shërbimet për sot. Kërcënimi i uraganit Sandy bëri që të mbyllen tregjet amerikane të aksioneve, selia e të cilave ndodhet në Manhatanin e poshtëm.