Irak, 10 vjetori i rrëzimit të Saddam Hussein

Të paktën 50 persona mbetën të vrarë pas një seri shpërthimesh të disa autobombave në kryeqytetin e Irakut, Bagdad.Mbi 100 të tjerë janë plagosur ndërsa  disa prej tyre janë në gjendje kritike, bilanci i këtij akti terrorist mund të rëndohet më tej në orët në vazhdim, lajmëroi të martën "BBC".Sulmet kanë ardhur në përvjetorin e dhjetë të nisjes së pushtimit amerikan të vendit, që solli edhe fundin e regjimit të diktatorit Saddam Hussein.Megjithëse dhuna në Irak mbetet larg niveleve kulmore të 2006-s, vendi është përfshirë nga një luftë e përgjakshme fetare midis sunitëve dhe shiitëve. Si pasoje e kësaj dhune, në muajt e fundit është regjistruar një bilanc prej rreth 300 të vdekur në muaj, nga sulmet terroriste të militantëve të secilës përkatësi fetare.Ndërkohë për fillimin e  pushtimit të Irakut ëë 2003 që shënoi dhe nisjen e luftës në Irak nga trupat e koalicionit të udhëhequra nga SHBA dhe Britania e Madhe, ish-kryeministri britanik Tony Blair ka dhënë një intervistë për BBC-në.Irakenët do të ishin rebeluar kundër Saddam Hussein nëse nuk do të kishte pasur pushtim dhe situata do të kishte qenë shumë më e keqe sesa ajo që është aktualisht në Siri, deklaroi ish-kryeministri britanik Tony Blair në një intervistë për BBC-në. "Irakenët më parë ishin ngritur në numër të madh dhe në numër edhe më të madh ishin vrarë nga regjimi", ka kujtuar Blair.Britania e Madhe ka humbur gjatë kësaj lufte 179 ushtarë, meshkuj dhe femra, 136 prej të cilëve janë vrarë në aksion, përpara se trupat britanike të nisnin tërheqjen në Prill të vitit 2009.Në intervistë, Blair ka theksuar se, nëse nuk do të kishte qenë pushtimi, në Irak do të kishte pasur pa dyshim rebelime popullore për të rrëzuar regjimin."Mendoj se nëse Saddam do të ishte ende në pushtet, me siguri do të kishte kryengritje nga populli. Në një rast të tillë mendoj se situata do të bëhej e ngjashme me Sirinë dhe me ndoshta shumë më keq", vijoi Blair.Ndërsa duke u fokusuar tek Siria, ish-kryeministri britanik ka paralajmëruar Perëndimin se mund të paguajë një çmim të lartë nëse nuk vendos të ndërhyjë në vendin arab.Mijëra sirianë kanë humbur jetën në betejat mes forcave besnike të presidentit Bashar al Assad dhe atyre që kundërshtojnë regjimin e hekurt të tij.Blair shprehu keqardhjen e tij për jetët e humbura në Irak, por thekson se nuk ndjen asnjë pendesë për vendimin e rrëzimit  të Saddam Hussein.Të dhënat konservative tregojnë se Irakenët e vrarë gjatë pushtimit dhe ata nga dhuna sektare në vend janë rreth 100 mijë.Një vend me 31 milionë banorë dhe të ardhura për frymë të ngjashme me ato të Shqipërisë, Iraku vuan nga një përçarje e thellë fetare, trashëguar nga ndarja prej 65% shiitë, 30% sunitë dhe 5% të krishterë që ka vendi, në të cilin përfshihet edhe një komunitet i rëndësishëm kurd.