Bisedimet në Bruksel, zvarritje dhe pak gjasa për marrëveshje
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka lënë bisedimet me kreditorët ndërkombëtarë vonë pas mesnate, në orët e para të mëngjesit të sotëm, pa arritur asnjë marrëveshje mbi borxhin dhe krizën e vendit të tij.Tsipras dhe kreditorët nuk bënë asnjë koment pas "luftës" së gjatë me njëri-tjetrin për të arritur në një kompromis që do të kënaqte dhe mbulonte interesat e të gjitha palëve.Ngërçi i negociatave të së mërkurës erdhi pasi ministrat e financave të Eurozonës akuzuan Athinën se kanë refuzuar të bëjnë kompromis edhe pse afati për të paguar borxhin prej 1.6 miliardë euro skadon javën e ardhshme më 30 qershor.Madje ministrat ndërprenë për rreth një orë negociatat, me argumentin se nuk kishte asnjë opsion marrëveshje për të diksutuar. Kryeminsitri grek kaloi të gjithë pasditen me presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, shefen e FMN-së Christine Lagarde, kreun e Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi dhe kryetarin e Eurogroupit Jeroen Dijsselbloem, por as me këta nuk u arrit asnjë progres.Drafti i cili po komplikon marrëveshjen dhe që po zvarrit negociatat përfshin reformën e pensioneve, tatimet, ligjin e punës, pagat e sektorit publik, hapjen e vendeve të punës të mbyllura si pasojë e masave shtrënguese dhe investimet.Megjithatë tashmë rreziku i daljes së Greqisë nga zona Euro sipas disa analistëve do të çojë patjetër në një pakt i cili me shumë gjasa do të kënaqë më shumë kreditorët ndërkombëtarë se sa Greqinë.Në këtë pikë pritet një zemërim i popullit grek ndaj kryeminsitrit Tsipras dhe pyetja shtrohet sa do t’i kushtojë Tsipras nëse ky skenar materializohet?