25 000 vetë në gjyq me Facebook për shkelje të privatësisë

Ka nisur në Vjenë gjyqi ndaj Facebook, ku 25 000 përdorues akuzojnë rrjetin social që ka shkelur privatësinë e tyre dhe kërkojnë dëmshpërblim prej 500 eurosh për person.Avokatët e kompanisë amerikane kërkuan që të mos e pranonin këtë çështje pasi qendra e Facebook në Europë është në Irlandë dhe jo në Austri, ndërsa gjykatësi i bëri të ditur që vendimi përfundimtar për këtë pretendim do të jepet para verës.Padia e ngritur nga student austriak, Maks Skrems, është sfida e radhës për Facebook në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, për mënyrën se si i përdor dhe ndan të dhënat personale të përdoruesve. Sipas Skerms, Facebook ka shkelur ligjet europiane mbi privatësinë."Vetëm fakti që duhet t'i përmbahen ligjeve europiane mund të ndryshojë shumë në modelin e tyre të biznesit, sepse tani për tani, kompanitë amerikanë ngrenë seli në Europë, kryesisht në Luksemburg dhe Irlandë, sepse atje nuk merret njeri me ligjet e privatësisë dhe për shkak të evazionit fiskal. Tani gjërat do të ndryshojnë", tha Skerms para gazetarëve.Studenti austriak gjithashtu pret të nisë një tjetër çështje në Gjykatën Europiane të Drejtësisë në të cilën denoncon marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për transferimin e të dhënave të përdoruesve të kompanive amerikane në Europë, si Microsoft dhe Yahoo.Disa javë më parë, në seancën dëgjimore, avokati përfaqësues i Bashkimit Europian befasoi të gjithë kur tha që nëse përdoruesit europianë të Facebook nuk donin të përgjoheshin duhet t'i mbyllin llogaritë e tyre në rrjetin më të famshëm social.Duke marrë shkas nga nisma e Skerms, edhe autoritetet britanike kanë nisur hetime të pavarura për të parë nëse rrjeti me më shumë se 1 miliard përdorues ka shkelur ligjet e mbrojtjes së privatësisë në Mbretërinë e Bashkuar.