Ekstradimi i skafistit, familjarët e viktimave të 9 janarit: Çështja te Krimet e Rënda

Ekstradimi drejt Shqipërisë 11 vjet pas tragjedisë së Otrantos, të një prej përgjegjësve kryesor të saj, siç është skafisti shqiptar Viron Robaj ka sjellë reagimin e familjarëve të viktimave të 9 Janarit.Përmes një komunikimi me mediat, kryetari i Shoqatës 9 Janari, Nikoll Mhillaj, kërkon që çështja të kalojë tek Krimet e Rënda, ndërsa akuzon shtetin shqiptar se ka marrë në mbrojtje për të mos dëshmuar të gjithë dëshmitarët, përfshirë edhe Robaj.“Ata u dënuan në mungesë në 2005 dhe asnjëherë nuk kanë bërë hetuesi as nuk kanë dalë përpara prokurorisë për të treguar lidhjet me kë i kishin, me pushtetarë dhe qeveritarë, të cilët janë fajtorët kryesorë. Ne kërkojmë  me insistim, me force, kalimin e çështjes penale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, pasi nuk ka krim më të madh se vdekja e 28 jetëve njerëzore në mënyrën më barbare në afërsi të Karaburunit me 9 janar 2004”.Ndërkohë Ndoc Bjeshka i ati i një prej viktimave, thotë se i kanë drejtuar një letër Prokurorit të Përgjithshëm për çeshtjen në fjalë, për të cilën kanë marrë edhe një përgjigje: Sillni fakte.“ Kemi marrë vetëm një telefonatë, që na sillni fakte. Ne faktet i kemi dërguar 100 herë, 1000 herë. Pakte më të mëdhaja nuk janë sesa këto  që i kanë kapur të tërë si sekserë, pronarët e gomoneve. Këta të  dëshmojnë, të thonë të vërtetën që kanë për të thënë që edhe ne të gjejmë kockat e fëmijëv tonë. Të mos na përdorin për politikë si na kanë përdor”.Familjarët e viktimave të 9 Janarit, prej 11 vitesh përballen vetëm me kërkesat e tyre drejtuar shtetit për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe përgjegjësinë e personave që çuan në djegien dhe mbytjen e tyre në ujërat e detit Jon.