Takimi me Ramën, Stërkaj: Për ndryshime vendos Kryeministri
I kemi dhënë votëbesimin me votë si Kryeministër dhe ndryshimet në qeveri i sheh ai. Kështu deklaroi për mediat, deputeti socialist Paulin Sterkaj, një ditë pas takimit me Shefin e qeverisë.“ Ne i kemi dhënë votëbesimit Qeverisë dhe Kryeministrit, ndryshimet dhe çfarë duhet për qeverinë i sheh Kryeministri”.Sterkaj mohoi që ai dhe grupi prej 5 deputetësh të kenë diskutuar me Ramën mbi kritikat dhe kërkesën publike të Tom Doshit për ndryshime në kabinetin qeveritar.“Ne në vazhdimësi mblidhemi çdo javë në mbledhjen e grupit dhe çdo problem që kemi i themi aty. Nuk është çështja se kemi ndonjë ankesë të një individi dhe t’ia përcjellim Kryeministrit, kjo sikur nuk funksionon, nuk më pëlqen as pyetja. Tani sa probleme dhe sa ankesa ka ky vend, edhe në shpi të robit ka probleme, por hap pas hapi çdo gjë do të rregullohet”.Lidhur me zgjedhjet lokale, deputeti Stërkaj deklaroi se akoma nuk ka nisur diskutimi në grupin parlamentar për kandidaturat, ndërsa për bashkinë e Shkodrës tha se janë në konsultime e sipër me Kryeministrin.Të mërkurën, kryeministri Rama thirri në një takim informal në Kryeministri një grup deputetësh të PS.Të pranishëm ishin Paulin Sterkaj deputet i qarkut të Shkodrës, deputeti i qarkut të Lezhës Arben Ndoka, deputetët e qarkut të Tiranës Artan Gaçi e Pjerin Ndreu dhe deputetët e qarkut të Fierit, Arben Çuko dhe Pirro Lutaj.