Nis riatdhesimi i kosovarëve nga BE, të martën kthehen 80 qytetarë

Nis riatdhesimi i kosovarëve nga vendet e Bashkimit Europian. Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës ka konfirmuar se të martën, "do të kthehen 80 qytetarë të Republikës së Kosovës".Ministria ka deklaruar se këta persona që do të kthehen nuk do të përfitojnë nga Programi i Riintegrimit, duke qenë se nga ky program përfitojnë personat e riatdhesuar të cilët e kanë lëshuar Republikën e Kosovës para datës 28 korrik 2010.Megjithatë "janë disa skema të natyrës urgjente që mund t'i përfitojnë të gjithë të riatdhesuarit: pritja dhe informimi në momentin e arritjes, ndihma mjekësore në momentin e arritjes në rast nevoje, transporti nga Pikat e Kalimit Kufitar deri në komunën e origjinës nëse nuk kanë mundësi të tjera të transportit, aftësim profesional dhe ndërmjetësimi në punësim".Autoritetet në Prishtinë deklarojnë se nuk kanë të dhëna të sakta për numrin e kosovarëve që kanë lënë vendin e tyre, por deklarohet se janë mijëra të tillë të nisur kryesisht drejt Gjermanisë dhe Austrisë.