Vizita e Papës, PD: Kompania me 3 punëtorë fitoi tenderin 394 mln lekë. Kryeministria e mohon

Tirane- Partia Demokratike zbuloi sot fakte të reja për tenderin e vizitës së Papës.Sipas selisë blu kompania fituese edhe pse ka pasur vetëm 3 punonjës, ka përfituar me prokurorim të drejtpërdrejtë 394 milionë lekë.Përmes prononcimit të Grida Dumes, PD deklaroi se Rama heshti për skandalin pasi po bëhet gati ti vërsulet fondeve të majme për festat qeveritare të 70 vjetorit të clirimit.Disa orë më pas reagoi dhe kryeministria e cila akuzoi PD-në se vazhdon të hedhë baltë mbi pritjen madhështore që populli shqiptar i rezervoi Papa Françeskut."Asnjë fakt, asnjë seriozitet, madje asnjë përpjekje për t’a kamufluar shpifjen e vrazhdë të radhës, po vetëm përsëritja e një recitimi banal para kamerave." thuhet në njoftimin e kryeministrisë.Më poshtë ju sjellim deklaratat e plotaDenoncimi i plote Grida Dumës mbi abuzimin financiar me dekorin e qytetit për vizitën e Papës.Faktet e reja që tregojnë se kompania fituese e Veliajt ka pasur vetëm 3 punonjës, por sërish i janë dhënë me prokurorim të drejtpërdrejtë 394 milionë lekëRama heshti, nuk dha asnjë shpjegim për skandalin e 394 milionëve që iu dhanë kompanisë së Veliajt, me rastin e vizitës së Papës.Rama heshti sepse tashmë janë bërë gati ti vërsulen fondeve të majme për festat qeveritare të 70 vjetorit të clirimit.Njerëzit e Veliajt dhe grupi i ngushtë i Ramës, morën 394 milionë lekë, me prokurim të drejtpërdrejtë, pa asnjë garë, me një kompani 9 muajshe, që nuk plotësonte asnjë kusht teknik, dhe për të cilën ende nuk ka dhënë askush llogari.Por fakte të reja që dalin në dritë e thellojnë skandalin, edhe pse Edi Rama hesht, edhe pse sulmon opozitën sa herë gjendet para provave të pakontestueshme.Kompania e Veliajt, EAG, që nga dita e krijimit dhe deri sot, e pasuruar me 394 milionë lekë me një dorë, ka pasur vetëm 2 ose 3 punonjës.E megjithatë kompania e Veliajt e lindur në janar me vetëm 2 apo 3 punonjës që nuk dorëzon dot as bilancin e vitit të shkuar, që as nuk nuk e ka në objektin e saj dekorimin e qytetit u kualifikua më e afta dhe shpallet fituese në një tender kaq të madh.Eshtë e qartë se kemi të bëjmë me një histori pasurimi të shpejtë.Ministri i Mirëqënies dhe bashkëpunëtorët e tij afër Kryeministrit, e kanë ngritur këtë kompani për të fituar tenderat e qeverisë, për të marrë para, e për t’u pasuruar nga taksat e shqiptarëve që po zhyten cdo ditë e më shumë në varfëri, në borxhe, në papunësi e mjerim.Ndërsa populli sot gjithnjë e më i papunë gjithnjë e më shumë i zhytur në halle, ditët e festave duhet të shohë se si prapa cdo dekori po pasurohet një ministër dhe favoritët e Ramës.

Dokumenti që sipas PD-se tregon se kompania që mori 394 milione lekë kishte vetëm 3 punonjës

Reagimi i kryeministrise

Është për të ardhur keq që Partia Demokratike vazhdon të hedhë baltë mbi pritjen madhështore që populli shqiptar i rezervoi Papa Françeskut. Asnjë fakt, asnjë seriozitet, madje asnjë përpjekje për t’a kamufluar shpifjen e vrazhdë të radhës, po vetëm përsëritja e një recitimi banal para kamerave.

Nëse pushtetarët e deridjeshëm nuk dinë të lexojnë as ligjet që kanë bërë vetë dhe jo më praktikat zyrtare për të cilat flasin pa lidhje, ky nuk është as faji i qeverisë së re dhe as telashi që meriton populli shqiptar, të cilin PD e ka lënë pa opozitë. Por të akuzosh pa fakte edhe në këtë rast kaq të veçantë dhe të përfshish organizimin më të bukur që shteti shqiptar ka bërë ndonjëherë në njëzet vjet me rastin e pritjes së Atit të Shenjtë, është më shumë se sa e padenjë qoftë edhe për Partinë Demokratike që nocionin e dinjitetit e ka gjithsesi tepër të mjegullt.

Duke qenë se qeveria e re transparencën përpara publikut e ka detyrim të patjetërsueshëm, është e udhës të sqarohet njëherë e mirë sa më poshtë:

Procedura krejt e ligjshme e ndjekur nga Autoriteti Kontraktor, në këtë rast Ministria e Kulturës, bazohet në gërmen “c” të pikës 2 të nenit 33, të ligjit numër 9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar.

Ky ligj parashikon pikërisht rastet kur Institucioni Publik gjendet në kushte të nevojës ekstreme dhe e ka të pamundur të ndjekë procedurën normale të prokurimit.

Në rastin në fjalë, duke qenë se programi i vizitës së Atit të Shenjtë dhe të gjithë elementet e dekorit e të protokollit iu komunikuan zyrtarisht qeverisë shqiptare në datën 11 Gusht 2014, Autoriteti Kontraktor ishte në kushtet e nevojës ekstreme për shkak të mospasjes së kohës së mjaftueshme për të zhvilluar procedurën normale të prokurimit.

Theksojmë se e njëjta procedurë është ndjekur nga të gjitha institucionet e përfshira në vizitën e Papa Françeskut në Tiranë, përfshirë këtu Bashkinë e Tiranës.

Propozimi për të ndjekur këtë procedurë është bërë nga Komisioni Shtetëror për vizitën e Atit të Shenjtë, komision ku u përfaqësuan të gjitha institucionet më të larta shtetërore, përfshirë dhe institucionin e Presidentit të Republikës, partitë parlamentare dhe Bashkinë e Tiranës, të cilët kanë shprehur dakordësinë e plotë me këto procedura në çdo mbledhje dhe për çka është dokumentuar çdo element.