Ligji për të tjerët, në bashkinë e Shkodrës duhani konsumohet lirshëm
Shkoder- Parlamenti lokal i Shkodrës bëhet sërish protagonist, këtë radhë duke shkelur me të dy këmbët ligjin.Në sallën e mbledhjeve të këshillit bashkiak, një pjesë e këshilltarëve konsumonin lirisht duhan, ndonëse prej muajsh ka hyrë ne fuqi ligji që ndalon pirjen e tij në ambjente publike dhe të mbyllura.Qartazi pamjet e videos, bashkangjitur këtij shkrimi, nuk kanë nevojë për shumë komente, pasi tregojnë se një pjesë e këshilltarëve nuk pyesin për ligjin, madje e ndjejnë veten të mbrojtur në këtë sallë.E për çudi, veprimi i tyre as që vihet re nga kryetari i Këshillit Bashkiak, që minimalisht duhet t’u tërheqë vemendjen e t’i kujtojë ligjin këtyre këshilltarëve, atë për të cilin shumë herë marrin vendime.Por duhani në bashkinë e Shkodres pihet edhe në ditët e javës, ku pamjet ne mjediset e brendshme të këtij institucioni e dëshmojnë më së miri këtë gjë.Tashmë është e qartë se inspektorët e autorizuar për kontrolle në këto institucione nuk janë dukur në këto anë, pasi minimalisht nëse kjo gjë do të ishte kryer, atëherë do të kishte patur edhe gjoba e sensibilizim më të madh.Ligji antiduhan nuk mjafton të zbatohet vetëm në disa subjekte private, por forca e ligjit duhet të veprojë fillimisht në institucionet publike, aty ku ai po dëshmon se shkelet haptazi.
