Mali, forcat franceze bombardojnë bazat e rebelëve

Avionët luftarakë francezë bombarduan bazat dhe depot e rebelëve në veri të Malit, në një përpjekje për t'u ndërprerë atyre të gjitha rrugët e furnizimit, qoftë me armatime qoftë dhe me ato ushqimore. Ministri i jashtëm francez, Laurent Fabius, tha se rebelët nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë pa furnizime të freskëta.Sipas raporteve, trupat franceze po përgatiten për sulmin e fundit, për të rimarrë nën kontroll Kidalin, qytetin e fundit që ndodhet nën kontrollin e rebelëve islamikë. 30 avionë luftarakë francezë goditën të dielën bazat ushtarake dhe telekomunikacionet e rebelëve në afërsi të Kidalit, në kufi me Algjerinë.Presidenti francez, Hollande gjatë vizitës disa-orëshe në fundjavë në vendin e Afrikës Perëndimore, premtoi se Parisi vec ndihmës ushtarake, do të ndihmojë edhe në rindërtimin e Malit. Ndërsa Joe Bajden duke folur së bashku me presidentin francez Francois Hollande, i cili vizitoi Malin në fundjavë, tha se ata kishin rënë dakord që trupat afrikane duhet të marrin situatën përsipër nga forcat franceze "sa më shpejt që të jetë e mundur dhe e arsyeshme", para se OKB-ja të marrë komandën e përgjithshme.Franca rimori kontrollin e territoreve në veri të vendit pa rezistencë, por shumë i druhen frikës së grupeve rebele, të cilët mund të rigrumbullohen në zonat malore të Kidalit, duke nisur ndoshta një luftë guerrile që mund të zgjasë për vite me radhë.Pikërisht në këto zona mbahen peng disa qytetarë francezë të rrëmbyer në Mali dhe vende të tjera të rajonit. Vetë qeveria maliane u ka ofruar bisedime rebelëve tuaregë për t'i dhënë fund konfliktit. Këta të fundit u rreshtuan me grupet ekstremiste islamike gjatë vitit të kaluar në përpjekje për të shpallur shtetin e tyre në veri, por aleanca me ekstremistët u prish shpejt.