Bashar Al Assad akuzon Izraelin

Bashar Al Assad akuzoi Izraelin se po përpiqet të destabilizojë vendin e tij. Ky është reagimi i presidentit të Sirisë, pas sulmit ajror izraelit të mërkurën, në territorin e vendit të tij.Gjatë takimit me sekretarin për Sigurinë Kombëtare të Iranit, Saeed Xhalili, në Damask, Assad tha se “duke demaskuar rolin e vërtetë që luan, Izraeli zbulon se është ai shkak i destabilizimit dhe dobësimit të Sirisë”.Ai shtoi se “ushtria siriane është në gjendje t’i bëjë ballë kërcënimeve të tilla apo çdo lloj agresioni”.Televizioni shtetëror “Al Ikbarija” shfaqi pamjet e pasojave të sulmit ajror në Xhamraja (Jamraya), në veri-lindje të Damaskut; ndërtesa dhe makina të shkrumbuara nga flakët, por edhe dëshmi nga të plagosurit. Dy persona humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën gjatë ofensivës ajrore.Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, të dielën, në konferencën për sigurinë në Gjermani, la të kuptohet se vendi i tij ishte përgjegjës për sulmin. “Goditja ishte prova, që çfarë themi e bëjmë” tha ai. Ne nuk mendojmë se Siria duhet të lejohet të dërgojë sisteme të avancuara armatimesh në Liban”.Izraeli ka paralajmëruar vazhdimisht se armët kimike siriane mund të bien në duart e Hezbollahut. Zyrtarët amerikanë thanë se në shënjestër të ofensivës ajrore izraelite ishte një karvan kamionësh, që transportonin armë, destinacioni i të cilëve ishte grupi Hezbollah në Liban.Shtëpia e Bardhë paralajmëroi Sirinë të ndalojë transportime të tilla, me destinacion grupin shiit. Zhvillimet e fundit vijnë, kur konflikti në Siri ka hyrë në muajin e 23-të dhe numëron mbi 60 mijë të vrarë.