Michael Granoff “Qytetar Nderi” i Tiranës, Basha: Kontribut në ekonomi

Bashkia e Tiranës i ka akorduar titullin “Qytetar Nderi” presidentit të Fondacionit shqiptaro-amerikan të Zhvillimit dhe Fondit Amerikan të Zhvillimit Michael Granoff, me motivacionin: “Për kontributin e tij të vlefshëm në transformimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës, përmes mbështetjes së ndërmarrësve të rinj, ndihmës për përmirësimin e klimës së biznesit dhe asistencës për mbrojtjen e trashëgimisë urbane e kulturore të qytetit të Tiranës”.Zoti Granoff bëhet i pesti personalitet që kryebashkiaku Basha i akordon këtë titull. Me herët janë shpallur “Qytetar Nderi të Tiranës”, Emiri i Katarit, Kryeministri i Kuvajtit, ish zv - presidenti i Komisionit Europian dhe ish - ministri i jashtëm i Italisë Franco Frattini e së fundmi, Papa Françesku.Kryebashkiaku Basha ka vlerësuar ndihmën e madhe që Granoff i ka dhënë Bashkisë së Tiranës, duke veçuar ngritjen e fondit prej 5 milionë eurosh për ndërmarrjet e reja të biznesmenëve të rinj si dhe financimin e projektit për rehabilitimin e sheshit “Avni Rustemi” dhe tregut rrethues në këtë zonë, njohur si zona e Pazarit të Ri.“Para disa muajsh, së bashku me Fondacionin shqiptaro-amerikan të Zhvillimit nënshkruam një projekt unik për rajonin, me një vlerë totale prej 5 milionë eurosh, në zemër të së cilit qëndron ngritja e aftësive dhe mundësive për të mbështetur ndërrmarjet e reja të biznesmenëve të rinj, të rejave dhe të rinjve të Tiranës që duan të nisin biznesin e tyre në këtë qytet apo ta konsolidojnë apo zgjerojnë atë, pra një projekt që ndihmon drejtpërdrejt në klimën e biznesit dhe ndërmarrësit e rinj të qytetit tonë.Basha theksoi se përmirësimi i klimës së biznesit në kryeqytet është dhe mbetet në krye të axhendës së Bashkisë së Tiranës“Përmirësimi i klimës së biznesit në kryeqytet është dhe mbetet në krye të axhendës së Bashkisë së Tiranës edhe këto kohë të vështira, ku situata ekonomike e lidhur drejtpërdrejt me klimën e biznesit është më pak premtuese se ç’do dëshironim të gjithë ne, mbetet objektiv kryesor dhe unë i jam shumë mirënjohës Fondit shqiptaro-amerikan të Zhvillimit, Fondacionit amerikano-shqiptar të Zhvillimit për ndihmën e çmuar që na kanë dhënë dhe vazhdojnë të na japë për një klimë miqësore të biznesit në qytetin e Tiranës, për më shumë shanse për punësim, më shumë shanse për investime, në veçanti për rininë e kryeqytetit”.“Projekti i dytë ka të bëjë me një tjetër infrastrukturë të rëndësishme të kryeqytetit, në qendër por të lënë në harresë prej kohësh, jo më shumë se 500 metra nga sheshi “Skënderbej” por të zhytur në mjegullën e indiferencës, me rehabilitimin e sheshit “Avni Rustemi” dhe tregut rrethues në këtë zonë, njohur si zona e Pazarit të Ri.Këto dy projekte janë natyrisht projekte shumë të rëndësishme për qytetin tonë, projekte të cilat po hapin fronte të reja pune, siç e thashë në një kohë të vështirë për ekonominë, për punëkërkuesit por edhe për punëdhënësit shqiptarë, po hapin perspektiva të reja, po ndihmojnë në konsolidimin e mirëqënies të shumë familjeve shqiptare, shumë familjeve të kryeqytetit por kjo në vetvete nuk është arsyeja e vetme që na ka mbledhur sot, për t’i dhënë mikut tonë titullin më të lartë që kryeqyteti ka” - deklaroi Basha.