Bozdo thirrje policisë: Mos mbyllni sytë përpara vjedhjes së kabllove të energjisë
Nënkryetari i bashkisë së Tiranës Enno Bozdo akuzoi Policinë e Tiranës se nuk po merr asnjë masë ndaj vjedhjeve të kabujeve të energjisë së ndriçimit publik dhe kapakëve të pusetave.Bozdo tha se Policia ndaj këtyre personave të papërgjegjëshme ka mbyllur sytë.“Është kthyer tashmë në një shqetësim të madh, jo vetëm për qytetarët por edhe për Bashkinë e Tiranës, çështja e vjedhjes së kabllove të furnizimit me energji elektrike për ndërtim publik në qytet. Shfrytëzoj rastin, t’i bëj thirrje Policisë së Shtetit e cila ka marrë në mënyrë frekuente, rast pas rasti të gjitha denoncimet e Bashkisë së Tiranës të impenjohet për ruajtjen e pronës publike, sepse kjo nuk ka të bëjë vetëm me investimet e Bashkisë së Tiranës. Dyshimi ynë është se këto vjedhje kryhen nga grupe shumë të organizuara, nuk kemi të bëjmë me vjedhje individuale por përsëri aksioni i Policisë ka qenë pothuajse zero. Ata mjaftohen me marrjen shënim në proces-verbal të denoncimit të Bashkisë së Tiranës, asnjë arrestim i këtyre grupeve të organizuara që vjedhin pronën publike.”, tha Bozdo.Bashkia bëri ndërhyrje përgjatë bulevardit kryesor në zëvendësimin e këtyre kabujve. Me një financim prej 100 mln lekësh do të bëhet rivendosja e tyre dhe e kapakëve të pusetave.