24-vjetori i ribashkimit të Gjermanisë, Merkel: E jona, një histori suksesi

“Rruga e Gjermanisë drejt ribashkimit tregon se mësimet e nxjerra nga përpjekjet paqësore për liri mund të përdoren mjaft mirë për të zgjidhur krizat me të cilat përballet sot Europa dhe e gjithë bota”.Me këtë sugjerim, Angela Merkel, kulmoi festimet e mbajtura në 24-vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë.Në atë që u konsiderua si një fjalim i pazakontë i saj, Merkel tha se ishte guximi gjermano-lindorëve për të fituar lirinë që ndihmoi në përfundimin e Luftës së Ftohtë, një guxim që sot lypset aq shumë në të gjithë botën."Pa guximin e atyre qytetarëve, pa përpjekjet e tyre për liri, nuk do të ishte shembur muri i Berlinit më 9 nëntor 1989. Pa ta nuk do të kishim pasur zgjedhje të lira parlamentare më 18 mars 1990 dhe as ribashkim më 3 tetor 1990. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë!", tha Kancelarja para 1500 të pranishmëve në Hanover pasi mori pjesë në një meshë katolike në Marktkiche.Merkel, e cila vjen dhe vetë nga lindja, shtoi se të drejtat bazike që fituan gjermanët duhen mbrojtur sot vazhdimisht, kudo ku ato kërcënohen. Ajo përmendi pa doreza aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe krizën në Ukrainë, si dhe rrezikun që vjen nga Shteti Islamik në Irak dhe Siri."Ne në Gjermani nuk mund t'ua mohojmë të tjerëve atë që fituam me ribashkimin tonë, lirinë për të vendosur për të ardhmen tonë me aprovimin paqësor të komunitetit ndërkombëtar, përfshi dhe ish-Bashkimin Sovjetik. Çdo shkelje e këtyre parimeve ndërkombëtare meriton përgjigje të shpejtë. Këtë kemi bërë edhe em Rusinë".Për Merkelin, edhe pse kishte ende disa disnivele ekonomike dhe shoqërore mes lindjes dhe perëndimit, ribashkimi i Gjermanisë ka qenë një histori madhështore suksesi.Ndërkohë, arkitekti i ribashkimit të Gjermanisë, Helumt Kohl, duket se është mes kandidatëve për të fituar Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2014.Me një doktoraturë në histori, Kohl u fut edhe vetë në librat e historisë gjermane si kancelari i parë që arriti të ribashkonte vendin dhe si një prej themeluesve të Bashkimit Europian dhe monedhës euro.Roli i tij ishte vendimtar në ditët e vështira që sollën shembjen e murit të Berlinit në nëntor 1989 dhe ribashkimin e Gjermanive pikërisht më 3 tetor 1990. Duke i dalë kundër edhe disa prej aleatëve perëndimorë, Kohli arriti të ribashkonte dy Gjermanitë pothuajse plotësisht sipas kushteve të tij, duke qetësuar francezët, britanikët dhe sovjetikët të cilët ishin të ndjeshëm ndaj nacionalizmit gjerman.Zyrtarisht emërimet për çmimin nuk janë dhënë, por mendohet se Kohl mund të jetë fitues në shpalljen e 10 tetorit.