Prokurori i përgjithshëm amerikan jep dorëheqjen
Prokurori i përgjithshëm amerikan, Erik Holder, një prej aleatëve më të mëdhenj të presidentit Barak Obama, ka dhënë dorëheqjen të enjten e 25 shtatorit 2014, pas një mandate të shënuar nga beteja të ashpra në kongres ndaj republikanëve.Holder, i cili ishte edhe kryeprokurori i parë me ngjyrë në SHBA, do të mbetet në detyrë deri sa të emërohet pasuesi i tij.Presidenti Obama doli në konferencë për shtyp bashkë me Holderin për të bërë të ditur lajmin që nga Shtëpia e Bardhë."Gjatë verës ai më takoi dhe më tha se gjashtë vjet ishin një periudhë goxha e mirë", tha Obama. "Me përkushtimin e tij tipik, Eriku ka rënë dakord që të mbajë postin e Prokurorit të Përgjithshëm deri sa unë të emëroj një pauses dhe ai të konfirmohet nga Senati.Kështu që mund të zgjasë dhe pak më shumë karriera e tij që zgjat prej 40 vitesh, që kur nisi si një prokuror i ri në zyrën që tani drejton", shtoi Obama.Largimi i Holderit duket se do të ndezë sërish debatet në Senat pasi republikanët shpresojnë të fitojnë shumicën në zgjedhjet e 4 nëntorit dhe të thonë fjalën e tyre për kandidaturën që do të zgjedhë Obama.Nga Shtëpia e Bardhë konfirmojnë se presidenti ende nuk e ka zgjedhur personin që do të paraqesë si kandidat para Senatit.Holder ka pasur marrëdhënie të ngushta me Obamën dhe gjithmonë ka mbështetur pozitat liberale të presidentit, përfshi lëvizjet për kufizimin e armëve, kritikat për sistemin amerikan të burgjeve dhe gjykimin e të dyshuarve për terrorizëm në gjykata civile dhe jo ushtarake."Kam ndjesi të ndryshme për vendimin që mora. Jam krenar për atë që kemi arritur me departamentin e drejtësisë përgjatë gjashtë viteve të fundit, por në të njëjtën kohë jam mjaft i trishtuar se nuk do të jemë pjesë zyrtare e arritjeve të mëdha që do të realizojë ky department dhe presidenti në dy vitet e ardhshme.Dua t'ju falenderoj zoti Presidenti për mundësinë dhe nderin më të madh në karrierën time", tha Holder.