Protagonizmi i Nexhmije Hoxhës trazon shumë shpirtra, por…

Pëllumb Kulla kish ndjekur intervistën e Nexhmije Hoxhës dhënë R. Qafokut dhe të nesërmen kish bërë një shkrim, në të cilin shprehte mosmiratim e zemërim ndaj faktit që ajo thirrej nga gazetarët e, për më tepër, që intervistohej në një mënyrë shumë konfidenciale e empatike. Nuk është hera e parë që Kulla e mban këtë qëndrim. E ka ngritur zërin edhe vite më parë, kur N.Hoxhën e ka intervistuar Rudina Xhunga. Dhe po njësoj, nuk ka gëlltitur dot si gatishmërinë e gazetarëve për ta intervistuar, ashtu dhe qasjen mirëkuptuese gjatë intervistës. Më kujtohet se atëmot kam shkruar dhe unë, por i ngacmuar nga Kulla, jo nga vejusha Hoxha. Jam i ngacmuar edhe sot. Nga Kulla, si gjithnjë.Ndërsa N.Hoxha nuk më ngacmon as me protagonizmin e saj, as me qëndrimet që mban. Nuk kam as motivimin më të vogël për t’u shprehur lidhur me qëndrime të saj, sido që për atë vetë kam të njëjtin mendim që ka dhe Pëllumb Kulla. Mos vallë kjo vjen ngaqë unë, në ndryshim nga Kulla, nuk kam qenë i përndjekur gjatë regjimit komunist? Nuk e përjashtoj këtë gjë, por nuk do doja që të ish ky shpjegimi; prandaj prirem për t’i mbushur mendjen vetes se nuk është kështu, e në këto rrethana do doja të kisha qenë njëmend i përndjekur në mënyrë që të kisha mundësi në këto kohë të provoja se emocionet e përvojat personale nuk është e thënë që ta prekin e komprometojnë dispozicionin demokratik. Mirëpo këtë provë nuk kam se si ta jap. Unë veç i përndjekur që s’bëhem dot.Dhe me këtë dua të them se me Pëllumb Kullën ndahem të paktën në një pikë. Unë ia njoh Nexhmijes të drejtën të shprehet, ta thotë të vetën, të mbrohet, të përpiqet të justifikojë krimet që ka bërë i shoqi apo – siç besojnë të shumtët – edhe ajo vetë. Dhe mendoj se, nëse nuk do t’ia njihja asaj këtë të drejtë, në thelb nuk do të kisha ndonjë ndryshim të madh prej saj. E di, ajo (supozohet se) ka bërë krime dhe është përgjegjëse për mijëra viktima të regjimit komunist, ndërsa unë, duke qenë se nuk kam qenë në krye të ndonjë regjimi tiranik, supozohet të mos kem bërë ndonjë krim. Por dyshoj se në themel të çdo krimi qëndron mohimi i së drejtës për t’u shprehur e për t’u mbrojtur, që u bëhet atyre që duan të shprehen e të mbrohen, sidomos kur janë në një mënyrë a në një tjetër kundërshtarët tanë.Mund të thuhet: “Po ajo, sikur në këtë vend të kish pasur drejtësi, do kish përfunduar me kohë pas hekurave të burgut”. Në fakt nuk do të ishte çudi që do ndodhte kështu. Nuk jam 100% i sigurt se mund të ndodhte, ngaqë Nexhmija nuk ka pasur funksione në hierarkinë e shtetit totalitar, por në një sistem të mirëkopsitur drejtësie, kush e di, edhe mund të dënohej. Mirëpo ky sistem drejtësie tek ne nuk ekziston. Lind pyetja: Kush jemi ne që të zëvendësojmë institucionet e drejtësisë e të vendosim në emër të tyre se kush duhet ta qepë gojën njëherë e mirë e se kush ka të drejtë ta hapë? Po të ish kështu, edhe unë, edhe Pëllumbi, me kutin tonë të drejtësisë, do të kishim rrasur në burg me dhjetëra funksionarë të shtetit postkomunist me akuzën për krime të rënda, si vrasje, plaçkitje, nxitje të përçarjes kombëtare, etj. E ndonjë syresh i ka bërë vendit dëme ku e ku më të mëdha se sa i ka bërë Nexhmija (kur them “Nexhmija”, afërmendsh nuk nënkuptoj “i shoqi”; i shoqi i saj është muhabet më vete). Mirëpo, këta që e kanë hak burgun më shumë se Nexhmija, jo vetëm që flasin e shprehen, por kanë edhe pushtet, aq pushtet sa, po të duan, mund të na heqin të drejtën e shprehjes edhe mua, edhe Pëllumbit.Përveç kësaj, unë nuk mendoj se një gazetar kureshtar e serioz bën mirë nëse i thotë ‘jo’ mundësisë për të intervistuar (apo biseduar me) personazhe të tillë. Në këtë pikë, më duhet të pohoj se një nga bisedat më interesante në jetën time gazetareske e kam pasur me Ramiz Alinë, në shtëpinë e këtij të fundit. Të flisje me të ishte si të flisje me historinë, dhe kjo s’kish të bënte me atë si person (nuk më bëri ndonjë përshtypje në këtë drejtim; madje, para takimit kisha një mendim më të mirë për të). Jo, kish të bënte me atë si personazh.E njëjta gjë mund të thuhet edhe në rastin në fjalë. Nexhmije Hoxha, është si është, ka bërë çka bërë, është një personazh i historisë së Shqipërisë. Çfarë ajo thotë sot – dhe nuk ka fare rëndësi se çfarë thotë – ka vetvetiu një vlerë dokumentare në të ardhshmen. Dikush mund të ketë arsye t’i quajë qëndrimet e saj gjepura, apo atë vetë të ligë, të neveritshme, apo ku di unë, por ky fakt nuk e zbeh forcën dokumentare të asaj që ajo thotë. Sidomos në këtë moshë që ka. Sidomos kur të gjithë mendojnë se mendjen vijon ta ketë qiqër. Ne të sotmit as që kemi mall t’ia shohim surratin, por pasardhësit tanë (të mijtë më shumë se sa ata të Pëllumbit) do të jenë të ftohtë, e do ta shohin një intervistë që Nexhmijes i është marrë sot si një gjë të rëndësishme të arkivave televizive. Ashtu siç do të shihnim ne të sotmit një gjurmë dokumentare që ka të bëjë me, fjala vjen, Esat Pashë Toptanin, s’ka gjë se të gjithë bien dakord se ka qenë një nga politikanët më të paskrupullt që ka nxjerrë ky vend (i shoqi i Nexhmijes ka qenë ndoshta më i paskrupullt).Vijmë te çështja tjetër, te mënyra se si është intervistuar Nexhmija. Këtu pajtohem me Pëllumb Kullën. Vetëm se unë di një gjë që Pëllumbi nuk e di (ngaqë ai është larg, në SHBA). Po, është e vërtetë, edhe Xhunga, edhe Qafoku i kanë ardhur pas midesë Nexhmijes, por duhet thënë se në rrethana të tilla nuk hyn domosdoshmërisht në lojë simpatia personale. Rëndom ndodh që, nëse nuk premtohet e demonstrohet kjo dashamirësi, intervista refuzohet. Dhe gazetarët, për të mos e djegur këtë shans për të intervistuar një personazh historik, bien dakord të “sillen mirë”. Me një fjalë, nuk e pyesin e nuk e fusin në binarët ku duan ata, por e lënë të flasë e të ecë në binarët që do ajo. Kjo nuk është fort gazetareske. Por mbetet gjithsesi me rëndësi në planin e dokumentimit të historisë, ngaqë ka folur Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e njeriut që e ka sunduar këtë vend për 45 vjet me radhë ashtu si askush nuk ka mundur ta sundojë më parë (këtu bën përjashtim Ali Pashë Tepelena).S. Unë nuk e di, nëse Pëllumb Kulla u ka hedhur ndonjë sy shënimeve të ditarit të asistentit brainwashed të Enver Hoxhës, të cilat Panorama ka zënë t’i publikojë prej ditësh. Sikur të isha në vend të drejtuesve të Panoramës, unë nuk do t’i kisha publikuar ato shënime të shkruara me një gjuhë të belbët, por në të njëjtën kohë jam i bindur se ai ditar, është po njësoj një dëshmi dokumentare e historisë. Zëri e arsyeja e Haxhi Kroit janë zëri e arsyeja e diktaturës shqiptare 50-vjeçare.