PD, Bushati: Rama hesht, i hapi krimit portat e Parlamentit

Partia Demokratike vazhdon në ditën e 26 të denoncojë heshtjen e Ramës për dhunën në Parlament, duke iu referuar rastit të deputetit Strazimiri.Në një dalje për mediat nga selia blu, deputeti Helidon Bushati akuzoi Ramën se po përdor instrumenta dhune për t’i mbyllur gojën opozitës.PD vazhdoi sulmin ndaj deputetit socialist Arben Ndoka sipas së cilit çertifikata e këtij deputetit është e mbushur me krim. Bushati thekson se edhe pse Rama kërkoi një emër përsëri nuk jep asnjë shpjegim.“26 ditë më parë, me urdhër të Edi Ramës u dhunua opozita brenda në Kuvendin e Shqipërisë, dhe sot, pas 26ditësh, Edi Rama nuk ka gjetur asnjë minutë kohë të mbajë një qëndrim.Prej kaq ditësh, i madh e i vogël, mësuan me prova dhe dokumenta, se kush janë instrumentat e dhunës që përdor Edi Rama në përpjekjen për ti mbyllur gojën opozitës.7 vjet burg, për shfrytëzim prostitucioni dhe rrëmbim personi. Kjo është certifikata e deputetit Arben Ndoka, që godet dhe kërcënon me jetë përfaqësuesit e Partisë Demokratike.Asnjë fjalë nuk del nga goja e Edi Ramës, edhe pse ishte ai që kërkoi një emër, që kërkoi prova për inkrimimin e parlamentit.Asnjë fjalë sigurisht, se Edi Rama i hapi portat e parlamentit personit të dënuar për vepra të rënda penalë,duke mënjanuar dhunshëm nga lista e deputetëve, dy kandidatet gra”, tha Helidon Bushati.