Rafineria në Plug të Lushnjës, Bejtja: Do e ndalim po ndoti ambientin
Lushnje- Pas ngritjes së shqetësimit të banorëve të fshatit Plug të Lushnjes në Rtv Ora News për ndërtimin e një rafinerie për përpunim nafte ka reaguar zv.ministri i Industrisë dhe Energjisë Ilir Bejtja.Sipas numrit dy të kësaj ministrie është një gjë pozitive që qytetarët kanë filluar të ndërgjegjësohen për mjedisin dhe paralajmëron se do ndalohen të gjitha pikat që veprojnë në këtë sektor.“ Njerëzit atje janë mjaft alert, mjaft të njohur dhe me të drejtat e tyre. Bravo iu qoftë që janë ngritur në protestë. Për rastin konkret banorët duhet të jenë të sigurtë që asnjë nuk do zhvillojë biznes atje duke ndotur mjedisin e tyre. Ajo do mbetet një zonë bujqësore dhe blektorale siç ka qenë. Ne do të shfrytëzojmë nëntokën atje ku kemi mundësi dhe do të ngremë impiante përpunimi nëpërmjet biznesit privat, pa ndotur dhe pa dëmtuar sektorët e tjerë të zhvilimit të ekonomisë”, tha ai.Sipas zv.ministrit me ndryshimet e reja ligjore i jepet ok ndërhyrjes në terren për të vendosur rregull.“Penalitete burojnë nga udhëzimet që do të dalin për zbatimin e ligjit. Po ashtu liçensimi dhe proçedura e dhënies liçensës do të mbikëqyren nga departamenti ynë për zhvillimet e politikave të hidrokarbureve me ministrinë”, tha aiAktualisht zonat më problematike në lidhje me impiantet e perpunimit të naftës ndodhen në zonën e Fierit, Lushnjes dhe Kuçovës.