VIDEOLAJM/ 20 vjet drejtorët ikin e vijnë, po lopën kush do e heqë nga Parku i Orikumit?

"Të njohim Shqipërinë", cikli i emisioneve i "Tonight Ilva Tare" i cili ndali hapin në Vlorë, nxorri në pah një problem: Të çosh turistët në parkun arkeologjik të Orikumit duhet të matesh dy here, jo vetëm për faktin se rruga që të çon atje është e prishur por dhe për faktin sepse bari është deri në gju ndërsa lopët kullosin pa u shqetësuar.Pyetja se kush do i heqë lopët nga Parku, "futi në sherr" përfaqësuesit e institucioneve të cilët ishin të pranishëm në panelin e improvizuar në Kalanë e Kaninës."Ne si operator skuqemi, nxihemi nga turpi sepse është plotë me lopë, bari deri në gju, rruga është e prishur.:" tha drejtuesi i operatorëve turistikë në Vlorë, Vasil Bedini.Nga ana e saj, Nertila Përrallaj, drejtoresha e Zhvillimit të Turizmit të bashkisë Orikum tha se Bashkia nuk kishte asgjë në dorë pasi parku ishte nën administrimin e Monumenteve të Kulturës, ndërsa rruga ishte në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.Edhe  Agim Haxhiraj, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Vlorë tha se nuk kanë mundur të ndalin lopët, megjithë paralajmërimet që i ishin bërë pronarit të kafshëve dhe bari ishte trajtuar me herbicide.Ja debati:Vasil Bedini: Fati i Orikumit është se ka të gjitha pikat që turistët e huaj kërkojnë dhe u bie këtyre pesha më e rendë për t'i bërë këto pika sa më të vizitueshme. Me elementarja është pastrimi. Ne si operator skuqemi, nxihemi nga turpi sepse është plotë me lopë, bari deri në gju, rruga është e prishur.Nertila Përrallaj: Nuk është se i kalojmë fajin njëri-tjetrin, por bashkia duhet të mbajë pjesën e saj. Parku i Orikumit është nën administrim të monumenteve të kulturës dhe nuk është nën administrim të bashkisë Orikum, dhe kjo bashki nuk ka asnjë tagër. Rruga është një rrugë nën administrimin e ministrisë së Mbrojtjes. Ne jemi munduar që këtyre vlerave tu japim atë që iu takon.Agim Haxhiraj: Ne kemi një numër të caktuar punonjësish për mirëmbajtjen e monumenteve. Nuk jam dakort me atë që thotë Bedini, bari në gju dhe lopët ,se turizmi fillon që nga Vasili, që nga objektet, nga klientela, nga çmimet që i kanë spatë. Këta nuk kanë asnjë hotel me vlerësim. Turizmi kulturor është në vend të parë në botë, por ministria jonë e ka orientuar gjithë infrastrukturën nëpërmjet Fondit të Zhvillimit, Ministrisë së Trasportit. Ne kemi kërkuar që të bëhet rruga nga Dukati deri te kisha e Marmiroit dhe kemi rënë dakort me Fondin e Zhvillimit shqiptar që do të bëhet. Kaloi projekti i rrugës së Amantias.Ilva Tare: Vetë e pranove që keni një numër të kufizuar punonjësish, mbase duhen më shumë për t'i mirëmbajtur, pastrojnë?Vasil Bedini: Agimi ka të drejtë se është i ri në këtë institucion dhe e përgëzoj që ka filluar t'i bëj gjërat. Po ne kemi 20 vjet, vijnë e ikin drejtorë, por lopa nuk ikën.Agim Haxhiraj: Lopën e ka një bashkëqytetar, të cilin e kemi denoncuar në Degën e Brendshme. Ne e kemi bërë punën tonë, e kemi trajtuar barin me herbicide. Kemi thënë që këtu nuk lejohet futja e kafshëve, kemi ndërhyrë me komandon e bazës, kemi bërë akt marrëveshje me komandantin e bazes për të mos u lejuar hyrja sepse parku është i hapur, jo i rrethuar dhe është natyror. Pjesa kryesore është në ujë. Dhe kemi pasur ndonjë problem edhe me peshkatarët e ndryshëm atje për anën arkeologjike.