Ukrainë, operacione të reja ndaj rebelëve pro-rusë

Ukrainë- Me përfundimin e armëpushimit, Ukraina nisi dje operacione të reja ushtarake kundër separatistëve pro-rusë në lindje të vendit, disa orë pas skadimit të një armëpushimi të njëanshëm të shpallur nga Presidenti Petro Poroshenko.Forcat ukrainase thonë se kanë rimarrë një nga pikat e kontrollit përgjatë kufirit rus që kontrollohej nga rebelët. Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko e quajti këtë fitore të parë në operacionet e ringjallura kundër terrorizmit.Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë kanë akuzuar Rusinë për armatosjen e kryengritësve në Ukrainën lindore.Presidenti rus Vladimir Putin fajëson drejtpërdrejt presidentin ukrainas Petro Poroshenko për luftimet e reja. Putin thotë se ai nuk arriti ta bindë udhëheqësin e Ukrainës për të zgjatur armëpushimin.Putin tha se Rusia do të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të mbrojtur të drejtat e rusëve jashtë vendit.Departamenti i Shtetit tha se Sekretari i Shtetit John Kerry dje i ka telefonuar ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov, duke thënë se ai është i shqetësuar se rebelët e mbështetur nga Rusia kanë hedhur poshtë hapat për uljen e tensioneve, hapa të cilët mund të kishin zgjatur armëpushimin.