Barroso në Kuvend me fjalimin plot shpresa: Përgatituni për në BE, ia vlen

Tiranë –Presidenti i KE-së Hoze Manuel Barroso ka marrë pjesë edhe në një seancë të posaçme të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën mbajti fjalën e tij përpara të gjithë deputetëve të Kuvendit, pasi në të kishte marrë pjesë, edhe grupi parlamentar i opozitës, që ka thyer bojkotin e deklaruar disa ditë më parë.Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, duke hapur seancën, tha: “Që prej vitit 2004, menjëherë pas zgjerimit të Evropës Lindore, Presidenti Barroso ka mbajtur detyrën e vështirë në krye të KE-së. Shqipëria dhe rajoni ynë kanë avancuar drejt integrimit dhe sot ai vjen në një vend anëtar të NATOs. Ai vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë. Me këtë rast, lejomëni të shpreh mirënjohjen e këtij Kuvendi ndaj tij për mbështetjen e kandidaturës së Shqipërisë në BE.”Më pas, e ka marrë fjalën Presidenti i KE-së, Barroso, fjalim që ka qënë mjaft shpresëdhënës për mundësinë reale të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ai ka deklaruar qartë se vendimi për dhënien e statusit, Shqipërisë, ishte një shtysë për ta nxitur atë drejt integrimit; nga ana tjetër, përkundër zërave skeptikë të politikës ndërkombëtare, Barroso ka theksuar disa herë se zgjerimi i Bashkimit Europian ka ndodhur edhe në momente krizash."Kur nga 15 shtete anëtare të BE në 2004-ë, ne arritëm zgjerimin më të madh të të gjitha kohërave, u bëmë 28 shtete,"- tha ai. - "Ne thuajse e kemi dyfishuar zgjerimin në 10 vjet dhe pavarësisht sfidave ekonomike dhe krizës financiare, ka qënë e mundur të bëhej zgjerimi.Të gjithë ata që kanë sugjeruar dhe kanë thënë se BE nuk ka qënë partner i besueshëm, e patën gabim. Natyrisht që vendet që duan të anëtarësohen, duhet të bëjnë progres. Zgjerimi i BE-së është shumë i rëndësishëm për ne dhe ne i mbajmë premtimet tona kur partnerët tanë bëjnë progres,”- garantoi Barroso.Barroso përmendi edhe një detaj tjetër në funksion të rritjes së shpresave europiane të Shqipërisë, një detaj nga jeta e tij personale. “Unë vetë kam jetuar në diktaturë në vendin tim në Portugali dhe në 18 vjetët e para të jetës sime kam jetuar me shpresë,”- tha ai, - “dhe ajo shpresë ndihmoi që të rritej ekonomia dhe të hapej vendi ynë. Kjo ndodhi edhe me vende të tjera ndaj edhe unë ndihem për këtë arsye afër jush.”Barroso: Vlerësoj debatin demokratik, por, duhet të ndërtoni konsensusin real për çështje strategjikeBarroso iu drejtua më pas, deputetëve të pranishëm, me porositë e tij si politikan i vjetër, si President, i KE, si ish-Kryeministër, si ministër por edhe si shef i opozitës.Ai tha: “Në këtë sallë të demokracisë në Shqipërisë, ndodhin diskutime të rëndësishme, këtu merren vendime strategjike, unë e vlerësoj rolin tuaj, unë vlerësoj shumë debatin demokratik dhe vetë kam qënë Kryeministër, anëtar qeverie dhe po ashtu, edhe kryetar i opozitës. Por, në disa fusha është e mundur të ndërtohet një konsensus real kur bëhet fjalë për çështje strategjike. Mua më bëhet qejfi kur këtu përfaqësohen të gjitha forcat politike. Ju nuk duhet ta harroni dinamizmin si vend ballkanik për të bashkëpunuar në fusha rëndësishme, si integrimi. Ne e kemi në themel të BE, kulturën e bashkëpunimit. Ky rrugëtim ofron të mira, ia vlen, përsa i përket shtetit të së drejtës, mbi të gjitha synimet që kanë të bëjnë me paqen, sigurinë e po ashtu, begatinë e qytetarëve."Presidenti i KE-së ka bërë edhe një vlerësim të situatës ekonomike të Shqipërisë, por të parën, në kuadër të përmirësimit ekonomik, ka vënë marrëveshjen me FMN-në, marrëveshjen aq shumë të sulmuar nga opozita.E në përfundim, Barroso ka vënë në dukje se të gjitha përpjekjet e Qeverisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE ia vlejnë, sepse ato i shërbejnë qytetarëve drejtpëdrejt, se mbi të gjitha BE-ja është një projekt pageqej, sigurie  si dhe begatie për qytetarët."E ardhmja juaj është në BE dhe angazhimi ynë është i palëkundur,"- tha Barroso. - "Por, marrëveshjet duhen respektuar, se janë çelësi i atij pushteti që ne kemi, magnetizmi i Europës dhe ne të gjithë e dimë që e ardhmja europiane mund të jetë një tregues për të ardhmen. Megjithatë, zgjerimi nuk është një profeci, nuk është rrugë me vetëm një drejtim, kërkon vizion politik, ka gjithmonë çështje që dalin, përgatitjet janë të vështira, por ia vlejnë. Tani shumica e punës varet nga ju, si përfaqësues i një populli që unë e respektoj shumë."ar.sh/Oranews.tv