Lazarat, policia kontrollon fshatin, qëllohen me plumba, 1 person plagoset
Policia e Gjirokastrës është pritur me plumba nga banorë të Lazaratit, gjatë kontrollit të territorit për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike kanabis sativa. Rreth orës 10:30 të paradites, gjatë kohës që një grup i punonjësve të policisë po ushtronin kontroll janë qëlluar me armë zjarri nga persona të paidentifikuar.Fatmirësisht në radhët e uniformave blu nuk ka pasur të lënduar, por një prej plumbave të shkrehur për të zbrapsur policinë, kanë marrë një banor në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen Kordhocë, në Lazarat. Shtetasi Sh.M., 45 vjeç ka marrë një plumb në shpatull.Ai është transportuar me urgjencë në drejtim të spitalit të Gjirokastrës për marrjen e ndihmës mjekësore. Më pas me një helikopter të dërguar nga Tirana u transportua drejt spitalit të Traumës për mjekim më të specilizuar.Fillimisht u raportua se 45-vjeçari u plagos me një plumb qorr, ndërkohë që në orët e pasdites Policia e Shtetit në një njoftim për mediat bëri me dije se nga hetimet e kryera dyshohet që plagosja ka ndodhur gjatë kohës që është qëlluar me armë kundër forcave të policisë.Strukturat e Policisë së Qarkut Gjirokastër po punojnë për identifikimin e kapjen e autorëve të kësaj ngjarje, si dhe dokumentimin e plotë ligjorë të saj. Ndërkaq materialet procedurale do ti kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë.