Kosovë, trupat e 31 viktimave nxirren nga varreza masive në Rashkë
Kosovë- Nga 23 prilli i këtij viti, në varrezën masive në Rashkë, në Serbi, janë nxjerrë 31 mbetje mortore (trupa) të moshave të ndryshme.Departamenti i Mjekësisë Ligjorë i Ministrisë së Drejtësisë bën të ditur sot se së bashku me ekspertët e EULEX-it, janë duke punuar pa ndërprerë dhe në të njëjtën kohë në vendndodhje është duke u bërë autopsia e trupave të gjetur dhe janë duke u marrë mostrat e ADN-së, të cilat së shpejti do të dërgohen në Komitetin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Bosnje.Sipas Departamentit të Mjekësisë Ligjore, pas pranimit të mostrave, Komitetit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur i duhen 4 deri në 6 javë, për të kthyer rezultatet e analizave të identifikimit.Në varrezën masive të zbuluar në Rudnicë, lokalitet në rajonin e Rashkës, në jug të Serbisë, mendohet se janë groposur së paku 250 shqiptarë të vrarë e të masakruar në Kosovë. Mëse 15 vjet pas luftës, Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të mëse 1700 qytetarëve të saj të zhdukur.(Marrë nga ATSH)