Kriza në Ukrainë, Putin tërheq ushtrinë nga kufiri

Moske- Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin (Në foto), ka urdhëruar tërheqjen e trupave nga kufiri i Ukrainës. Sipas një deklarate të lëshuar nga Kremlini, presidenti Putin ka urdhëruar që trupat në rajonet  Rostov, Belgorod dhe Bryansk, duhet të kthehen në bazat e tyre të përhershme."Në lidhje me përfundimin e fazës së planifikuar të trajnimit ushtarak në Rostov, Belgorod dhe Bryansk, Putin urdhëroi Ministrin e Mbrojtjes të tërheqë trupat që morën pjesë në stërvitje", thuhet në deklaratën e Kremlinit lëshuar për mediat.Rusia ka bërë deklarata të ngjashme edhe më parë, por pa ndryshuar situatën. Gjithsesi, sipas korrespondentëve të BBC në Ukrainë, heqja e 40,000 trupave ruse në afërsi të kufirit të Ukrainës, mund të ndihmojë në zbutjen e krizës.Ndërkohë  ka pasur përleshje mes forcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve prorusë në lindje të vendit. Një ushtar ukrainas u vra dhe një tjetër u plagos në sulmin e separatistëve në një pikë kontrolli pranë Slovianskut, në rajonin Donetsk. Të shtunën, separatistët emëruan kryeministrin për atë që ata e quajnë Republika Popullore e Donetskut .Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit u rritën pas përmbysjes së Presidentit ukrainas, pro - Kremlinit, Viktor Janukoviç në shkurt të këtij viti, pas disa muajsh protesta në rrugë.Aneksimi i mëvonshëm i Krimesë nga Rusia shkaktoi një krizë në marrëdhëniet Rusi, Ukrainë, Perëndim./nzh/oranews online/