Braho-Nishanit: Mos u bë kopje keqe e Presidentit revolucionar, Sali Berisha
Tiranë-Deputeti, Spartak Braho, reagon pas komenteve të kreut të shtetit Bujar Nishani, mbi kërkesën e tij për shkarkim të Presidentit. Në një komunikatë për mediat, Braho fton Presidentin të ecë në gjurmët e ish-Presidentit Omer Nishani dhe jo të Presidentit të fundit revolucionar e delirant,Sali Berisha.“Ish-presidenti Omer Nishani ka hyrë në histori si burrë shteti, patriot, i mençur, intelektual, i qetë, i zgjuar dhe mbi të gjitha i matur, pavarësisht se jetoi në periudhën revolucionare të Enver Hoxhës. Presidenti Bujar Nishani duhet të mësojë nga paraardhësi i tij në fisin e Nishanajve, që të mos bëhet kopje e keqe dhe reminishent i Presidentit të fundit revolucionar e delirant, komunistit të viteve ‘70, Sali Berisha” deklaron Braho.Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve të së mërkurës, ku diskutohej dekreti i Presidentit për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Spartak Braho, ftoi maxhorancën të nisë procedurat për shkarkimin e kreut të shtetit.Sipas Brahos, Nishani nuk po vepron me përgjegjshmëri dhe ka krijuar një handikap në Gjykatën e Lartë.Braho tha se Presidenti nuk e njeh praktikën e punës dhe nuk është përgjegjësi e Kuvendit t’ia mësojë.