Kushtetuesja rrëzon Kuvendin, i jep të drejtë PD-së. Hetim ndërhyrjes te tatimet

Tiranë- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Kuvendin dhe i ka dhënë të drejtë deputetëve të PD sa i përket kërkesës së tyre për ngritjen e një komisioni hetimor për ndërhyrjet në serverin e të dhënave tatimore.Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të kësaj gjykate publikohet dhe vendimi për deklarimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të vendimit nr.66, datë 24.12.2013 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e kërkesës së një grupi deputetësh “Për ngritjen e një komisioni hetimor për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore, si dhe për të njohur dhe verifikuar në thellësi fenomenin e ndërhyrjes dhe bllokimit për disa ditë të sistemeve elektronike tatimore””.Sipas vendimit të zbardhur nga Kushtetuesja theksohet çdo organ juridiksional, qoftë si institucion a organ pushteti, në kuptimin klasik administrativ të tij, apo dhe si subjekt që ushtron funksionet në një situatë pavarësie të plotë të garantuar nga Kushtetuta, konsiderohet i legjitimuar për të qenë palë në mosmarrëveshje pushtetesh.Gjykata, gjithashtu, ka vlerësuar se neni 77, pika 2 e Kushtetutës i njeh pakicës parlamentare kompetencë hetimi, pengimi i së cilës përbën konflikt kushtetues kompetencash. Vendimi i Kuvendit për mosmiratimin e kërkesës së një të katërtës së deputetëve për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, cenon këtë të drejtë kushtetuese të pakicës parlamentare. Gjykata ka konstatuar se situata të tilla shkaktojnë në realitet një mosmarrëveshje ndërmjet pakicës parlamentare (jo më pak se një e katërta e deputetëve) nga njëra anë dhe Kuvendit nga ana tjetër, për ushtrimin e së njëjtës kompetencë kushtetuese (shih vendimet nr. 20, datë 04.05.2007 dhe nr.18, datë 14.05.2003 të Gjykatës Kushtetuese).Për arsyet e mësipërme, në rastin objekt shqyrtimi, Gjykata vlerëson se kërkuesi, jo më pak se një e katërta e deputetëve, legjitimohet për vënien në lëvizje të saj në funksion të zgjidhjes së mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet subjekteve të sipërcituara.Përfaqësuesit ligjorë të Kuvendit argumentuan se parlamenti nuk mund të ndërhynte në kompetencën e prokurorisë, e cila kishte nisur hetimin për këtë çështje dhe për këtë arsye nuk mund të lejonin ngritjen e komisionit.Serveri i Tatimeve u bllokua në fund të vitit të shkuar, duke krijuar probleme për të dhënat e bizneseve. Sipas demokratëve kjo situatë krijoi pasiguri të sipërmarrja dhe krijoi hapësira për evazion fiskal.8

Vendimi i Plotë: Nr: 30 Date: 16.05.2014