Sulmi në Benghazi, dorëhiqen 3 zyrtarë të DASH
Tre zyrtarë të Departamentit të Shtetit kanë dhënë dorëheqjen, pas raportit mbi sulmin në Konsullatën e SHBA-së në Benghazi të Libisë, sipas mediave amerikane.Këtu përfshihen Eric Boswell, kreu i Byrosë së Sigurimit Diplomatik, si dhe një prej zëvendësve të tij, Charlene Lamb. Raymond Maxwell, zëvendës ndihmës-sekretari për Afrikën Veriore (Maghreb), thuhet se është personi i tretë i dorëhequr.Raporti bënte të ditur se siguria “tmerrësisht e pamjaftueshme” në Benghazi çoi në vdekjen e ambasadorit të SHBA-ve dhe 3 personave të tjerë. Ai veçoi dy zyrat e Departamentit të Shtetit për mungesën e dukshme të bashkëpunimit të tyre dhe për konfuzionin që pasoi në lidhje me mbrojtjen.Gjithsesi, raporti nuk sugjeron asnjë masë disiplinore ndaj ndonjë individi në veçanti. Ambasadori Christopher Stevens dhe 3 zyrtarë të tjerë amerikanë ndërruan jetë në sulmin e 11 shtatorit. Stevens vdiq nga asfiksimi, teksa mbeti i bllokuar në ndërtesën e djegur, pasi persona të armatosur sulmuan kompleksin.