Nishani-Rompuy: Me mbështetjen tuaj përshpejtojmë integrimin tonë
Tirane- Me rastin e Ditës së Evropës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Këshillit Europian, Herman Van Rompuy. Kreu i shtetit i shkruan Presidentit te KE se simbolika e kësaj dite na bën të gjithëve të sjellim në kujtesë bashkëpunimin dhe paqen duke u bërë frymëzues për Ballkanin Perëndimor.Presidenti vlerësoi mbështetjen që institucionet e Bashkimit Europian i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë në rrugën për përmbushjen e aspiratave integruese të vendit.Mesazhi i plotë i Presidentit NishaniMe rastin e Ditës së Evropës, 9 Majit, kam kënaqësinë e veçantë që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të mira e të sinqerta, juve dhe gjithë qytetarëve evropianë!Simbolika e kësaj dite na bën të gjithëve të risjellim në kujtesë bashkëpunimin dhe paqen, si vlera të ndërtuara gjatë viteve, e tashmë të konsoliduara në Bashkimin Evropian, duke u bërë shembull frymëzues e inkurajues për vendet e Ballkanit Perëndimor, në përmbushjen e aspiratës së tyre të përbashkët integruese, për të lënë pas të shkuarën konfliktuale dhe ndërtuar të ardhmen evropiane.Dëshiroj, me këtë rast, të nënvizoj se ne çmojmë lart mbështetjen e vazhdueshme që institucionet evropiane i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në përmbushjen e kritereve të duhura për integrimin e saj në familjen evropiane, si edhe të shpreh besimin në vijueshmërinë e mëtejshme të kësaj mbështetjeje me synim përshpejtimin e këtij procesi eurointegrues.Duke ju uruar edhe një herë festime të gëzueshme, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!