Gjosha: Jemi në rrugën e duhur për integrimin, s’ka më kthim pas
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, mori pjesë sot në konferencën “Krijimi i Evropës së re”, të organizuar nën kujdesin e Federalistëve të Rinj Europianë.Në fjalën e saj, Ministrja theksoi se Shqipëria beson te parimet mbi të cilat është krijuar Bashkimi Evropian dhe e konsideron një model suksesi i cili i ofron çdo shteti anëtar dhe që aspiron të jetë pjesë e këtij unioni, më shumë siguri dhe zhvillim.“Është një përpjekje që nuk nisi dje, as nuk do të përfundojë nesër. Megjithatë më lejoni të theksoj, se ajo çka është bërë deri tani, progresi i vlerësuar nga partnerët tanë evropianë është tregues i qartë se po ecim në një rrugë të shtruar mirë, ku nuk ka më kthim pas”, tha Ministrja Gjosha.Ministrja theksoi gjithashtu se puna e qeverisë në funksion të përshpejtimit të axhendës evropiane është e përqendruar në zbatimin e 5 prioriteteve, të lëna nga Komisioni Evropian, përmbushjen e të gjitha detyrimeve pasi duke e konsideruar procesin e integrimit pikësynimin më strategjik për vendin, synohet që shqiptarët së pari të evropianizohen brenda vetes.“Për të arritur këtë, përveç reformave të tjera që janë ndërmarrë nga qeveria, në harkun kohor të pak muajve, Ministria e Integrimit Evropian tashmë ka finalizuar dy dokumente të rëndësishëm që i shërbejnë këtij procesi. Road-Mapi për 5 prioritetet është tashmë gati. Në të janë përcaktuar masat dhe afate të qarta për të gjitha institucionet përgjegjëse për këto prioritete. Ka qenë një punë voluminoze ku MIE ka koordinuar dhe përfunduar udhërrëfyesin i cili i është dërguar Këshillit të Ministrave dhe brenda javës do të jetë një dokument zyrtar”, tha Ministrja Gjosha.