Korrupsion me gjakmarrjen, Prokuroria kërkon 2.5 vjet burg për kryekomunarin e Postribës

Shkodër- 2.5 vjet burg është dënimi që ka kërkuar Prokuroria e Shkodrës për Faz Shabaj me detyrë kryetar i komunës Postribë, 2 vjet mosushtrim aktiviteti publik për kryetarin e Misionarëve të Pajtimit të Gjaqeve Nikoll Shullani dhe 350-400 orë punë për komunitetin për 6 kryepleqtë e fshatrave të Postribës.Prokurori i çështjes, Arben Smaçi, ka paraqitur gjatë seancës së të enjtes përpara trupit gjykues edhe qëndrimin përfundimtar për 8 të akuzuarit. Mbi ta rëndon akuza e lëshimit të dëshmive fallco për gjakmarrje.Ndërkohë pasi kanë dëgjuar pretendimet e akuzës, palët mbrojtëse të të dyshuarve kanë kërkuar kohë për të paraqitur pretendimet përfundimtare, lidhur me akuzat e ngritura ndaj klientëve të tyre.Në fjalen e tij në gjyqin e zhvilluar me dyer të mbyllura, Prokurori i çështjes ka theksuar se kanë rezultuar fallso 7 dokumenta të lëshuar nga palët e akuzuara, për disa familje.Ato i kanë paraqitur këto dokumenta kryesisht në Belgjikë dhe Suedi, por atje pasi janë verifikuar kanë rezultuar jo të ligjshëm dhe madje familjet përfituese as që kishin qenë në gjak në vendin tonë.Të dyshuarit për lëshim të dëshmive fallso për gjakmarrje mbrohen nga 5 avokatë, ndërsa ato mohojnë kategorikisht të kenë lëshuar dokumente me qëllim për përfitimin e azilit në shtete të ndryshme të Bashkimit Europian.Të akuzuarit thonë se dokumenta i kanë lëshuar për ku i janë nevojitur familjeve në fjalë, por nuk kanë patur dijeni se ato do përdoreshin për azil politik.